Kush është burri që e qëlloi? Shoferi i shkollës: Martinin të premten e rrahu një person i rritur!

Një shofer që merrte fëmijët nga shkolla “Fan Noli” për t’i dërguar ata në shtëpi dhe anasjelltas, ka treguar për News 24 se të premten e kaluar, tre ditë para vrasjes me thikë të Martin Canit, një person i rritur e kishte rrahur atë përpara shkollës.

Shoferi tregoi se Martini 14 vjeçar vetë i kishte treguar se një “burrë i madh” kishte shkuar të shkolla dhe e kishte qëlluar.

Madje, sipas shoferit një person me biçikletë është ndalur para shkollës dhe ka debatuar me fjalë me këtë shtetas, se përse ai po rrihte 14 vjeçarin.

“Martinin e kishte gjujt një burrë i madh. Fliste me ato të vetat, shante. I thashë mos shaj. I thashë dhe policëve, një burrë i madh e ka goditur të premten, nëse hapni kamerat i gjeni. Atij burri i foli një person me biçikletë, i thoshte si e qëllon ti atë djalin, kush je ti.

Dje pastaj nuk e takova dot Martinin, kur shkova unë…

Mora kalamajtë klasës së parë dhe kur u ktheva pash shumë fëmijë që po iknin me vrap por nuk e dija se çfarë ndodhi. Sa u afrova, më thanë ata fëmijët hajde shpejt se Martinin e kanë therur me thikë”, u shpreh shoferi që transportonte nxënësit e shkollës “Fan Noli”.

Kjo deklaratë duhet të shërbejë si indicje dhe për Policinë e Shtetit, e cila duhet të gjejë se kush është ky person që ka qëlluar përpara shkollës Martin Canin.

Shoferi u shpreh se ua ka thënë policëve këtë fakt, por mbetet në dorën e hetuesve nëse ajo është administruar si provë apo indicje.

Nga informacione të ndryshme që kanë rrjedhur në media, është mësuar se tre ditë përpara ngjarjes së djeshme ku Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë në zemër, ai ishte konfliktuar e bashkëmoshatarin Mario Përlleshaj.