A e dini se cilat janë qytetet, banorët e të cilëve shpenzojnë më shumë për pije alkoolike e cigare në jetën e tyre të përditshme, duke e pasur këtë ves si argëtimin kryesor të tyre? Po ata që i rrinë larg këtij vesi?
Lezhjanët kryesojnë listën kur vjen puna për shpenzimet më të larta për pije alkoolike dhe duhan, gati dy herë më shumë se mesatarja e vendit. Sipas të dhënave që ka publikuar Instituti i Statistikave, në Anketën e Buxhetit të Familjes 2017, Qarku i Lezhës ka përqindjen më të lartë të shpenzimeve ndaj totalit, rreth 5.7%, të cilat kanë shkuar për alkool e cigare.
Ata janë renditur të parët me një diferencë shumë të ngushtë më dibranët, të cilët për një kohë të gjatë kanë ruajtur vendin e parë kur vjen puna për shpenzimet për alkool. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve, familjet e Qarkut të Dibrës shpenzuan mesatarisht për alkool rreth 5.4% të totalit të asaj që konsumojnë për të plotësuar nevojat e tyre. Dibranët kanë thyer vazhdimisht rekord për alkool, teksa në 2015-n, shpenzimet për pije alkoolike zinin rreth 10.6% të totalit.
Qarqe të tjera me një përqindje të konsiderueshme të shpenzimeve për alkool janë Elbasani me 4.9%, me një rritje prej 0.8 pikësh në krahasim me një vit më parë; Berati me 4.8% të shpenzimeve, apo rreth 0.3 pikë më shumë se periudha paraardhëse dhe Kukësi me 4.1%, i cili krahasuar me një vit më parë i ka ulur shpenzimet për alkool me 0.1 pikë.
Korçarët shpenzuan për alkool gjatë 2017-s rreth 3.6% të totalit, ndërsa Tirana dhe Fieri, secili nga 3.1%. Për sa iu përket shkodranëve, në 2017-n ulën shpenzimet për alkool në rreth 2.9% të totalit, nga 3.2% që shpenzuan një vit më parë. Vlora dhe Durrësi kanë shpenzuar për alkool përkatësisht 2.8%, ndërsa gjirokastritët janë pak pijedashës. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në totalin e shpenzimeve në Qarkun e Gjirokastrës, shpenzimet për alkool zinin rreth 2.3%, me rënie krahasuar me një vit më parë dhe më i ulëti ndër qarqe. Në total, shpenzimet për alkool sipas Anketës së Buxhetit të Familjes 2017 llogariteshin 3.5% e totalit. Sipas INSTAT shpenzimet për alkool kanë ardhur në rritje në krahasim me një vit më parë me një ndryshim prej 2.1%./BURIMI ”MONITOR”