Vendet nordike bëhen gati për luftë, Suedia dhe Finlanda paralajmërojnë banorët

Suedia ka nisur t’iu dërgojë banorëve të saj rreth pesë milionë pamflete, duke iu bërë thirrje që të përgatiten për mundësinë e luftës.

Njësoj edhe shteti fqinj, Finlanda, ka hapur një faqe interneti me thirrje të ngjashme, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë hequr dorë nga neutraliteti që kanë ruajtur për dekada, dhe i janë bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Prej nisjes së luftës, Stokholmi u ka bërë thirrje vazhdimisht suedezëve që të përgatiten si mendërisht, ashtu edhe në aspektin logjistik për mundësinë e luftës, duke përmendur situatën serioze të sigurisë në afërsi.

Udhëzuesi “Nëse përballemi me krizë apo luftë”, i nisur prej Agjencisë Suedeze të Kontigjencave Civile, përmban informacion se si duhet të përgatiten banorët për emergjenca sikurse lufta, katastrofat natyrore dhe sulmet kibernetike.

Udhëzuesi është një version i përditësuar i pamfletit që Suedia e ka lëshuar pesë herë prej Luftës së Dytë Botërore.

Versioni paraprak, i nisur më 2018, ka qenë i pari që u është dërguar suedezëve prej vitit 1961, periudhë e Luftës së Ftohtë.

“Situata e sigurisë është serioze dhe duhet të forcojmë qëndrueshmërinë për t’u përballur me kriza apo edhe ndonjë luftë”, ka thënë Mikael Frisell nga Agjencia Suedeze e Kontigjencave Civile.

Në udhëzues përmendet edhe se si duhet siguruar edhe ruajtur ushqimi dhe uji.

Agjencia ka thënë se udhëzuesi i përditësuar i vitit 2024 ka në fokus përgatitjen për luftë.

Në dy javët e ardhshme, udhëzuesin pritet ta pranojnë 5.2 milionë shtëpi në Suedi.

Udhëzuesi është përgatitur në gjuhën suedeze dhe në disa gjuhë tjera.

Po të hënën, Qeveria në Finlandë, e cila ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë, e ka lansuar një uebfaqe me informacione për përgatitje të banorëve për kriza të ndryshme.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL