As në 2025 nuk rriten pensionet, vetëm bonus përpara zgjedhjeve

Vitin e ardhshëm nuk parashikohet të ketë rritje të pensioneve, por vetëm një bonus në pranverë, para zgjedhjeve parlamentare. Kjo është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit në Kuvend ditën e sotme. Ai tha:

“Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë; të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, pra deri në 200 euro, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri, 15 mijë lekë, 150 euro. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonuseve të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 10 mijë lekë ose 100 euro.

Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët. Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë.”

Nga data 1 tetor ka hyrë në fuqi indeksimi i pensioneve me 4.1%. Kryeministri Rama e ka prezantuar fillimisht këtë si një arritje, ndërsa më pas e ka përshkruar si një përmbushje të detyrimit ligjor. Pensionet janë rritur me 748 lekë për pensionistët në qytet dhe 453 lekë për ata në fshat. Ekspertët e ekonomisë e kanë cilësuar këtë shumë të pamjaftueshme, ndërsa pensionistët kanë zhvilluar disa protesta, duke kërkuar një rritje minimale sa paga minimale.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pensioni real ka pësuar ulje me të paktën 8% gjatë dekadës së fundit. Pensionistët që përfituan pension pleqërie në vitin 2023 kishin të ardhura mesatare mujore prej 18,341 lekë, një rritje prej 26% krahasuar me vitin 2014. Megjithatë, inflacioni për këtë kategori ka qenë rreth 34% në të njëjtën periudhë.

Pas indeksimit të tetorit, kryeministri Rama ka zhvilluar takime me pensionistë, duke premtuar rritje të pensioneve dhe një reformë të re, e cila përfshin rritjen e kontributeve nga bizneset private përmes deklarimit të pagave reale. Në një deklaratë nga Korça në fillim të nëntorit, ai ka përmendur mundësinë e rritjes së pensioneve, por nuk ka dhënë një afat konkret.

Pas akuzave nga opozita se projektbuxheti për vitin 2025 nuk parashikon rritje të pensioneve, lajmi është konfirmuar edhe zyrtarë të qeverisë. Qeveria ka refuzuar një propozim të Partisë Demokratike që kërkonte një pension bazë prej 200 eurosh për çdo të moshuar, si dhe një rritje prej 20% për të gjithë pensionistët e tjerë. Këto propozime janë kritikuar nga kryeministri Rama.

Gjatë seancës parlamentare, Rama ka deklaruar se qeveria nuk planifikon të rrisë pensionet në vitin e ardhshëm, por ka premtuar dy bonuse: një në fund të vitit dhe një tjetër në pranverë. Ai ka njoftuar një fond prej 100 milionë eurosh për bonuset e fundvitit, ku pensionistët me pension deri në 20,000 lekë do të marrin 15,000 lekë, ndërsa ata me pensione mbi këtë shifër do të marrin 10,000 lekë. Rama ka shtuar se në fillim të çdo pranvere do të shpërndahet një bonus tjetër, bazuar në rritjen e ekonomisë dhe të ardhurave të shtetit.

Skemat e disbursimeve buxhetore para zgjedhjeve janë vërejtur edhe më parë dhe janë kritikuar si përpjekje për të ndikuar te votuesit. Në zgjedhjet e mëparshme, kjo praktikë është kritikuar nga opozita, ekspertët dhe raportet ndërkombëtare.