Stuhitë ciklonike godasin Europën, reshje të mëdha dhe ulje temperaturash në ditët në vijim

Fushat ajrore ciklonike apo me presion të ulët atmosferik do të vërshojnë Kontinentin evropian gjatë ditëve të ardhshme duke kushtëzuar reshje të dendura atmosferike shiu dhe bore, varësisht nga rajoni në rajon.

Ditët në vijim do të jenë mjaft aktive që nga Britania e Madhe, Skandinavia me reshje bore, pastaj Evropa qendrore, dhe Ballkani me depërtime ciklonike dhe masave të ftohta ajrore.

Gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe stuhi të fuqishme lokale dhe vërshime të shpejta në disa zona sepse masat ciklonike do të jenë mjaft të pasura me lagështi.

Çfarë pritet në Ballkan dhe viset tona?

Edhe Gadishulli ynë Ballkanik do të ndikohet fuqishëm nga këto masa ajrore që vijnë me origjin nga Oqeani Atlantik.

Ndikimi do të fillojë menjëherë me aktivizimin e erërave jugore dhe rritjen e temperaturave, ndërkaq shumë shpejt do të fillojnë reshje lokale shiu së pari në viset bregdetare, që nga bregdeti kroat deri në bregdetin shqiptar.

Fillimisht reshjet do të jenë të lehta dhe lokale.

Me fuqizimin e ndikimit ciklonik afër mesit të javes së re, reshjet atmosferike do të fuqizohen dhe presim të paktën dy valë reshjesh mjaft të dendura atmosferike edhe në viset tona. Vala e parë vjen të mërkurën mbrëma dhe ndoshta mëngjesin e së Enjtes, ndërsa vala e dytë të Premten.

Në të dyja rastet fillimisht do të kemi temperatura të larta dhe rrymime të fuqishme ajrore nga jugu dhe si pasojë reshjet do të jenë në formë shiu të dendura. Me ndryshimin e rrymimeve ajrore do të fillojnë erëra të ftohta nga veriu dhe priten edhe reshje bore pas shiut.

Sasia e reshjeve të borës nuk mund të përcaktohet nga tani, por sigurisht se në viset kodrinore-malore pritet atmosferë e vërtetë dimërore. Sa iu përket ultësirave nuk mund të themi asgjë nga tani.

Situata meteorologjike po bëhet shumë interesante dhe para nesh kemi reshjet e para serioze për një kohë të gjatë, reshje të cilat janë shumë të rëndësishme sepse kemi mungesë të reshjeve për një kohë të gjatë.

Java do të jetë dinamike dhe ne do të mundohemi të jemi sa më aktivë duke ndjekur ecuritë sinoptike.
Reshje të dendura bore priten shumë shpejtë në Skandinavi dhe shumë pjesë të Britanisë së Madhe. Në Britani reshjet do të jenë të përziera, ndërsa në pjesë tjera të Evropes fillimisht priten reshje shiu pastaj edhe reshje bore në shumë zona.
Viset kodrinore-malore priten reshje mjaft të dendura bore dhe bora do të zbres edhe në disa ultësira të Gjermanisë, Francës, Çekisë, Polonisë, pastaj në drejtim të Ballkanit në Slloveni dhe Kroaci.