I shiti shtëpinë kushërirës, vajza i kërkon llogari babait: Ku po na lë? Nëna s’të flet prej 20 vitesh!

Laura ka sjellë nga Suedia babanë e saj, Hamzanë për t’i kërkuar banesën. Sipas asaj që ajo tregon në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, i ati ia ka shitur pronën e tyre në Prizren vajzës së dajës.

Fillimisht kanë nënshkruar një kontratë 5-vjeçare qiradhënieje ndërsa pas 2 vitesh mësojnë se shtëpia ishte shitur. Hamzai pranon se e ka bërë ai këtë gjë pasi kishte marrëdhënieje të mira me ta.

Hamza: Unë shkova poshtë me ta, bisedova dhe ia shita shtëpinë atij, çikës. Ia shita shtëpinë dhe kur ia shita unë shtëpinë, ata më dhanë nja 3 mijë euro, kurrgjë tjetër nuk më dhanë por unë atë e kam dajë. Daja kur shkoj unë në Kosovë më pret mirë, vajza e dajës më pret mirë, Valbona.

Laura: Nuk ke bërë mirë që ke shitur shtëpinë se ke konflikte me nënën time dhe me ne fëmijët.

Hamza: Po me ju nuk jam mirë unë prej sa vitesh që s’më shihni, as bukë nuk më jepni, as më shihni, as merrni në telefon. Ata flasin në telefon me mua, kur shkoj me pushime më presin mirë.

Laura: Kush e bëri që mos të rrinim ne me ty? Ti e bëre, ti e shite se s’ka qenë plani për t’u shitur shtëpia!

Hamza: Po e shita unë se me ta jam më mirë.

Laura: Nuk ka qenë plani të shitej shtëpia, duhej të pyesje familjen!

Hamza: Atë e kam dajë.

Laura: Për një copë bukë e ke lënë, për 30 mijë euro, gjysmat t’i ka dhënë, gjysmat s’t’i ka dhënë. Neve ku po na lë?

Hamza: Epo unë me ta shkoj mirë!

Laura: Na ke lënë sakat! Nëna ime, Emineja që prej 20 vjetësh s’flet me ty, unë prej 5 vjetësh s’flas me ty!

Shtëpia është shitur në vitin 2002. Hamzai thotë se ai e ka blerë që në themel dhe e kanë ndërtuar bashkë me gruan.

Hamza: Unë e kam shitur me vullnet atë shtëpi, ia kam dhënë dajës shtëpinë dhe është shtëpia ime.

Ardit Gjebrea: Nuk ka pjesë vajza aty?

Hamza: Vajza ka qenë fëmijë kur kam bërë shtëpinë. Në ’84 kam marrë vendin, e kam blerë.

Laura: Me kë e ke mbaruar atë shtëpi, me nënën e ke mbaruar, me Eminenë, me gruan tënde!

Hamza: Nuk më intereson!

Laura: Jo, jo ne e duam pronën!

Hamza: Ti ke qenë fëmijë!

Laura: Ç’do të thotë, fëmija i kujt jam unë?

Eni Çobani: O zonjë, mirë thotë Hamzai, po ti ke qenë fëmijë, çfarë kërkon ti tani? Në qoftë se kërkon, kërkon nëna. Ke ardhur për nënën ti këtu, kërkon nëna pronë?

Laura: E kërkojmë të gjithë.

Eni Çobani: Po ky njeriu që ëshë lënë vetëm tani, që nuk e përkrahni fare babain, është normale që flisni ju në këtë formë? Që e keni lënë babain vetëm? Më vjen keq!/tvklan.al