1643 persona ende të zhdukur nga lufta në Kosovë

Kur kanë kaluar më shumë se 25 vite që nga lufta e Kosovës, janë ende 1643 personave të zhdukur, familjet e të cilëve presin një përgjigje për fatin e tyre. Në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, fajësojnë shtetin serb për mos hapjen e arkivave.

“Serbia vazhdon të mos ndajë arkivat e tyre, për më keq vazhdon me qasje politizuese. Gjatë këtij viti janë nëntë takime ato rajonale dhe ato takime dypalëshe. Serbia nuk ka reflektuar asnjëherë të bëjë adresimet e nevojshme, gjatë këtij viti është bërë një zgjidhje praktike që kanë vazhduar takimet në pjesën tjetër të delegacionit”.

Një nga kërkesat e vazhdueshme të Prishtinës është vënia në dispozicion të listës me 16 varreza masive në Serbi, të cilat janë konfirmuar që nga viti 2001.

“Deri më tani kemi arritur që të fokusohemi në 5 varreza masive që janë gjetur që janë varrosur më shumë se 900 viktima të luftës. Nuk e dimë që këto 5 varreza masive janë pjesë e këtyre 16 varreza masive”

Autoritetet do të nisin së shpejti gërmimet në 3 vende në Kosovë.