Çfarë ndodhi në komision pasi u fikën kamerat? Albana Vokshi u zu me policët, Zhupa mori në telefon Gardën ndërsa Xhelal Mziu hipi…

Debatet në Komisionit Hetimor të Shëndetësisë kanë vijuar edhe pasi kamerat janë fikur. Report TV bën me dije se dy detutetet demokrate Ina Zhupa dhe Albana Vokshi pas përfundimit të mbledhjes u drejtuan në sallën ku dhe po qëndronte ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe debatuan me oficerët e Policisë së Burgjeve.

Zhupa dhe Vokshi mësohet se u kanë kërkuar që Beqaj të kthehej në qeli, mirëpo oficerët i kanë thënë se duhet të merrnin urdhër për këtë. Vokshi i është përgjigjur duke i thënë se urdhrin e jep Kuvendi, ndërsa Zhupa mësohet se ka telefonuar Gardën ku dhe i ka thënë se ndjehet e pasigurt dhe e kërcënuar nga prania në Kuvend e Ilir Beqaj.

Në këto çaste Policia ka vepruar duke e larguar Beqajn dhe pas kësaj u larguan edhe dy palët politike nga Kuvendi.

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku debatet mes deputetëve të opozitën dhe mazhorancës vijuan pa ndalim.

Në një moment të mbledhjes Ilir Beqaj i cili prej orësh ishte duke pritur në korridoret e Kuvendit për të dëshmuar u fut në sallë dhe debatoi me demokratët, kryesisht me Ina Zhupën. Kjo e fundit iu drejtua Beqajt duke i thënë që “kush je ti që na kërcënon”, ndërkohë kryetarja e këtij Komisionit, Albana Vokshi kërkoi që Beqaj të dërgohej në qeli.

Lidhur me këtë mëngjesin e sotëm reagoi edhe ish-ministri. Nga qelia, Beqaj hodhi poshtë akuzat se kishte kërcënuar deputetet demokrate, teksa theksoi se pa çka se është i paraburgosur nuk do të lejojë që të nëpërkëmbet dinjiteti i tij.

“Sipas Kodit te Procedures Penale edhe per nje paraburgosur ne rast marrje ne pyetje apo procesi gjyqesor qendrimi nuk varet nga orari i lejes por kohezgjatja e seances perkatese. Kam hyre ne sallen e mbledhjes vetem nje hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revolten time per talljen deri ne kufijte e tortures qe behej prej me shume se 14 oresh. Nuk kam kercenuar apo fyer askend.

I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty ne pritje prej ores 10.30. Edhe nese jam i paraburgosur nuk pranoj te me fyejne dhe te me marrin neper kembe. Kete e refuzoj, e kundershtoj dhe do te vazhdoj ta kundershtoj. Ne 8 muaj hetime te komisionit, te gjithe deshmitaret kane provuar qe dy koncensionet objekt hetimi jane histori suksesi. Deshtimin politik deputetet e opozites nuk i lejoj ta percjellin ne neperkembje te dinjitetit tim”, thotë Beqaj në reagimin e tij përcjellë nga avokati.