Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani që dikur ka qenë drejtor policie, ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me bandat më të rrezikshme të Shqipërisë. Teksa po fliste për vështirësitë e hasura gjatë kohës që mbante atë detyrë, Dogjani u shpreh se një nga grupet më të rrezikshme kriminale ka qenë banda e Aldo Bares.
“Në Qarkun e Fierit mendoj që për kohën që ishte, një bandë ose grup kriminal shumë i rrezikshëm që kishte specifika të veçanta ishte banda e Aldo Bares. Një bandë që ishte jo vetëm shumë aktive, por ajo filloi të merrte veprimtari ndaj shtetit. Filloi të godiste oficerë policie, filloi të godiste punonjësit e policisë, tu bënte presion… Kur shkoj në komisariatin e policisë, ata kishin frikë kur përmendja emrin e Aldo Bares. Ulnin kokën të gjithë policët. Kishte një frikë të jashtëzakonshme.”, tha Dogjani, i ftuar në Opinion. Gjithashtu ai tregoi një rast personal se si ata ushtronin presion ndaj efektivëve të policisë.
“Ajo që mua më bëri përshtypje që në momentin e parë që shkova ishte direkt presioni që ata i bënin punonjësve, drejtuesve të policisë, sapo vinin. Në ditët e para që kisha shkuar më bie telefoni nga një këta që ishin pjesë e kësaj bande. Në fakt atë ditë ishte zënë Shefi i Komisariatit me Shefin e Krimeve në Lushnje dhe unë mora Sokol Bizhgën për t’i pajtuar. I jap një informacion, pse ziheni me njëri-tjetrin. Kapni njërin që ka lëvizur nga Berati dje me një makinë me këto targa. Në darkë më merr në telefon ai për të cilin dhashë informacionin dhe më thotë, bile e kanë thënë përgjimet italiane në gazetën shqiptare. Më thotë drejtori i policisë? I them po. Më tha e di që kemi vrarë njerëz? I thashë nuk e di që keni vrarë njerëz ju dhe më shkoi mendja menjëherë që Shefi i Komisariatit ose Shefi i Krimeve i ka dhënë informacione. Tha, kemi vrarë njerëz dhe me ne mos u merr. I thashë zotëri unë nuk jam as Shefi i Komisariatit as Shefi i Policisë, por do të shihemi. Kam shkuar direkt te ministri dhe kemi hequr atë natë Shefin e Komisariatit. Më vonë, në gazetë kam parë që kishte komunikuar Shefi i Krimeve me këta”, tha Dogjani.
Këto shembuj, Dogjani i dha për të treguar se asokohe grupet kriminale nuk vepronin pa ndihmën e policisë. Ai tregoi edhe rastin e kapjes së një vrasësi me pagesë për ekzekutime që kryheshin në qarkun e Lushnjes çdo ditë të martë. Sipas tij këto atentate kryheshin për shifra 200-300 mijë lekë.
“Filluan të bënin vrasje çdo të martë. Ditën e martë në orën 6 mua më bëhej një vrasje, o në derën e shtëpisë, o në derën e lokalit. Vrisnin kundërshtarët e njëri-tjetrit. Të parin kemi kapur një nga këta që bënin vrasje çdo të marte. Ai na shpjegoi. Mënyra si vriste ai nuk dinte se kush ishte ai që do vritej, por i thoshin është i veshur me këtë, në këtë tavolinë. Vriste. Shkonte merrte pistoletën në x vend. Ishte me pagesë ky, pavarësisht se ishte brenda grupit. Paguhej. I thoshin merr pistoletën filan vend. Bënte vrasjen dhe pastaj merrte paratë me Western Union. Sa merrte? 200 mijë lekë, 300 mijë lekë. Këto i kemi dokumentuar dhe kemi bërë arrestimin e tij”, tha Dogjani.