Seanca e gjyqit për Dan Hutrën, autorin e vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave, ka shkaktuar tensione të forta në Gjykatën e Tiranës. Gjatë seancës, ishte i thirrur për të dëshmuar Vladimir Kurti, një i dënuar përjetë, i cili ka një histori personale të lidhur ngushtë me të pandehurin Hutra. Në mars të vitit të kaluar, Hutra vrau motrën e Kurtit në shtëpinë e saj ku ndodhej bashkë me nënën.
Kurti refuzoi të jepte dëshmi përpara trupit gjykues, por ai u drejtua drejtpërdrejtë të pandehurit, duke e quajtur atë “monstër” dhe duke paralajmëruar se nuk do ta falte asnjëherë vrasjen e motrës së tij.
“Gjakun e motrës sime nuk e than dheu, nuk e fal. Ai është vrasës, ka futur në dhe 4 gra, refuzoj të japë deklarime përballë këtij monstre”.
Ndërkohë që Dan Hutra u shfaq i qetë dhe i buzëqeshur në anën tjetër të kafazit. Seanca u shty për në datën 5 dhjetor në orën 12:30, ku do të vijojë procesi gjyqësor, për autorin e vrasjes së trefishtë, ngjarje të cilën e kreu kur sapo kishte dalë nga burgu ku ishte dënuar për vrasjen e ish-bashkëshortes.