Dr.Shk.Jolanda Nikolla, mjeke pneumologe
Kanceri i mushkërive është shkaktari i tretë më i zakonshëm i vdekshmërisë në popullatë. Faktori i rrezikut më i rëndësishëm që e shkakton është duhanpirja (cigare, puro) aktive dhe ajo pasive. Faktorë të tjerë të njohur dhe të vërtetuar janë: ekspozimi ndaj ndotësve specifikë në ambientin e punës, ekspozimi ndaj gazit të radonit, historia familjare për kancer mushkërie, sëmundjet kronike të mushkërisë (si psh: SPOK dhe fibroza pulmonare).
Ndonëse prevalenca e duhanpirjes në popullatë tregon një tendencë të jetë në ulje vitet e fundit në rang botëror, mund të thuhet se përafërsisht ende 37% e adultëve janë duhanpirës ose ish-duhanpirës. Incidenca e kancerit të mushkërive rritet me rritjen e moshës dhe zakonisht haset më shpesh në moshat ≥55 vjeç duhanpirës ose ish-duhanpirës. Kohët e fundit është vënë re gjithashtu një trend në rritje i hasjes së kancerit të mushkërive në femrat duhanpirëse.
Kanceri i mushkërive ka një prognozë të keqe
Parandalimi mund të arrihet vetëm nëpërmjet inkurajimit të popullatës të mos pijë duhan ose ata që pinë ta ndërpresin sa më shpejt si dhe nëpërmjet shmangies së kontaktit të vazhdueshëm dhe për një kohë të gjatë me ndotjen e ambientit rrethues. Ndërprerja e duhanpirjes ul ndjeshëm rrezikun që një person në të ardhmen të sëmuret me kancerin e mushkërisë.
Fatkeqësisht nuk ekzistojnë ende ekzaminime ose teste laboratorike specifike që të bëjnë të mundur zbulimin e hershëm të kancerit të mushkërisë në popullatën e gjerë. Një ndihmesë në këtë aspekt mund të arrihet nëpërmjet klasifikimit të subjekteve: me rrezik të lartë për të bërë kancer mushkërie, me rrezik mesatar dhe rrezik të ulët. Në këtë rast si kriter bazë merret duhanpirja (numri i cigareve që pihen në ditë, shpejtësia e pirjes së një cigareje dhe kohëzgjatja e duhanpirjes).
Sipas udhëzuesve botërorë subjektet me rrezik të lartë klasifikohen:
• Personat me moshë 55-74 vjeç të cilët aktualisht kanë pirë duhan të paktën 20 cigare në ditë për 30 vjet
• Personat ish-duhanpirës që kanë ≤ 15 vjet që e kanë lënë duhanin
• Personat me moshë ≥50 vjeç që vazhdojnë të pinë duhan dhe kanë të paktën 20 vjet që pinë 20 cigare në ditë dhe sëmundje kronike të mushkërisë bashkëshoqëruese
Me rrezik mesatar:
• Subjektet duhanpirës < 50 vjeç me histori duhanpirje ≥ 20 cigare në ditë për 20 vjet • Subjektet e ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj tymit të duhanit, por pa faktorë të tjerë rreziku për kancer të mushkërisë (si psh: histori familjare etj) Me rrezik të ulët: • Subjektet duhanpirës < 50 vjeç dhe me histori duhanpirje < 20 cigare në ditë për 20 vjet Por cili grup popullate duhet të kontrollohet (depistohet) më shpesh për ta kapur në kohë këtë sëmundje? Sipas rekomandimeve dhe studimeve të shumta të kryera, subjektet me rrezik të lartë duhet të kontrollohen më shpesh të mjeku specialist pneumolog. Ekzaminimi më i besueshëm në këto raste është Skaneri i mushkërisë me dozë të ulët rrezatimi. Ai mund të dallojë kancerin e mushkërive në stadet e para të tij. Nuk rekomandohet kryerja rutinë e këtij ekzaminimi në subjektet me rrezik të moderuar ose të ulet. Është detyra dhe përgjegjësia e mjekut specialist pneumolog të rekomandojë këtë ekzaminim bazuar në vlerësimin nga afër të pacientit dhe përcaktimit të grupit të rrezikut të cilit ai i përket. Nuk rekomandohet kryerja e grafisë pulmonare si ekzaminim rutinë në prevenimin ose si ekzaminim depistues në kancerin e mushkërisë në asnjë grup rrisku që u përmend më lart. Disa nga shenjat dhe simptomat klinike më të shpeshta të tij janë: kolla e zgjatur me ose pa sekrecione (ndonjëherë sekrecione me gjak) rënia në peshë, dhembje gjoksi, ngjirje zëri, vështirësia në frymëmarrje. Veçanërisht një ndryshim në natyrën e kollës ose "ftohjet e shpeshta" te një person duhanpirës duhet detyrimisht të ndërgjegjësojë mjekun për ta drejtuar pacientin të kryejë ekzaminime të mëtejshme më specifike për të vlerësuar gjendjen e mushkërive të tij. Nga sa më sipër mund të themi se mënyra më e mirë është parandalimi nëpërmjet një stili jetese të shëndetshme dhe kontrolleve mjekësore. Për më shumë informacion ose vizitë me mjeken pneumologe Jolanda Nikolla kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com Spitali Amerikan, përqafoje jetën! Share this: