Mjeku onkolog Edmond Gashi, ka dalë nga arresti shtëpiak prej ditës së djeshme, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, ka vendosur që të zbusë masën e sigurisë nën garancinë pasurore 20 milionë lekë. Tashmë, Gashi mund të vazhdojë punën si mjek në klinikat private.
Dhe kështu ka ndodhur, ku pas vvendimit të togave të zeza, klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, ka njoftuar se ky i fundit është rikthyer në klinikë.
“Me kënaqësi ju informojmë se Dr. Edmond Gashi është rikthyer në klinikën tonë dhe është gati t’ju mirëpresë me kujdesin dhe përkushtimin që e karakterizon. Pas një periudhe sfiduese, Dr. Gashi është plotësisht i përkushtuar të vazhdojë të ofrojë shërbimin e tij profesional për të gjithë ju.
Ju ftojmë të rezervoni takimin tuaj për një përkujdesje shëndetësore të përkushtuar dhe të plotë. Dr. Gashi ju mirëpret“, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga klinika private, e cila ishte gjithashtu pjesë e kontrolleve të SPAK, kur u zbardh skandali i mjekëve që merrnin para nga pacientët me kancer.
Edmond Gashi, ndodhej në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por vazhdimisht ka kërkuar heqjen e saj, sepse thoshte se kishte shumë pacientë që e prisnin për trajtim.
Kërkesa e tij është pranuar dje nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe Edmond Gashi, do të jetë i lirë me garanci pasurore 20 milionë lekë.