Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vijojnë ta rendisin Tiranën në pesë qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së një prone.
Sipas të dhënave Numbeo-s për 2024, për të blerë një apartament në Tiranë nevojiten 15.3 vite, ndërsa në qytetin më të shtrenjtë të Europës, Lisbonën, një familjeje i nevojiten 19.5 vite për t’u bërë pronare e një prone.
Në indeksin e Numbeo-s, për 293 qytete në botë për indeksin e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti deri në mesin e vitit 2024 (llogaritet si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të disponueshme familjare, të shprehura si vite të ardhurave) Tirana renditet ndër shtetet europiane me apartamentet më të shtrenjta.
Krahasuar me një vit më parë, indeksi i përballueshmërisë së blerjes së pronës për Tiranën ka qenë më i lartë, përkatësisht 17.5 vite. Ndërsa për vitin 2022, ishte 15.7 vite kurse në indeksin e vitit 2021, 16.2 vite.
Në vitin 2024, qyteti më i shtrenjtë në Europë është Lisbona me 19.5 vite, e ndjekur nga Parisi dhe Spliti me 17.8 vite. Pas tyre vjen Milano me 16.3 vite. Pas Milanos, Tirana vijon të mbetet për apartamentet më të shtrenjta në Europë.
Në vitin 2023, qyteti më i shtrenjtë në Europë ishte Parisi me 20.2 vite, i ndjekur nga Lisbona me 19.6 vite, Dubrovniku dhe Praga me 19.3 vite dhe Milano me 19 vite. Pas Milanos, renditej Tirana me 17.5 vite.
Në renditjen botërore për vitin 2024, Tirana renditet në vendin 64, para Mynihut ku një familje për t’u bërë pronare në këtë qytet i nevojiten 15.2 vite, në Londër 14.9 vite, në Romë dhe Vjenë 14.2 vite, në Nju Jork, 13 vite, dhe Montreal të Kanadasë, 10.9 vite.
Beogradi vijon të mbetet ndër qytetet më të shtrenjta në rajon. Një familje i nevojiten 19 vite për t’u bërë pronare. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Shkupi, ku ky tregues është 13.8 vite, dhe në Sarajeva, 13.6 vite.
Qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Xiamen në Kinë përkatësisht me 48.1 vite.
Agjentët imobiliarë paralajmërojnë sërish shtrenjtim të çmimeve së apartamenteve
Ndërtuesit paralajmëruan më parë se rritja e kostove nga taksa e ndikimit në infrastrukturë do të shtrenjtojë sërish çmimet e apartamenteve.
Edhe njohësit e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë se shtimi i detyrimeve për taksat te ndërtuesit do të reflektohet te çmimet e shitjes.
“Nga muaji gusht 2023, me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës për Tiranën, u shtua automatikisht detyrimi i ndërtuesve për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Rritja e kostove pritet të reflektohet në çmimet e shitjes së pronave”, pohon Ylli Sula, drejtuesi i indeksit “Key Data”.
Pas rënies në muajt e verës, kërkesa për blerje të pronave është rritur në muajt e vjeshtës. Por për agjentët imobiliarë, krahasuar me vjet, kërkesa është në rënie.
Stela Dhami pohon se kërkesa për blerje apartamentesh në Tiranë kryesohet nga shqiptarët e diasporës dhe të ardhurit nga rrethet.
“Shumë prej shtetasve shqiptarë në diasporë e më tej mbeten të interesuar për të pasur një apartament në Tiranë, si urë lidhëse midis tyre dhe vendlindjes.
Gjithashtu, te projektet në afërsi të universiteteve, shumë prindër nga rrethet mendojnë blerjen e apartamentit si një investim për fëmijët që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në metropol.
Ndërsa te zonat bregdetare, rritja e kërkesës u ndikua nga të huajt dhe shtetasit shqiptarë të diasporës, pasi çmimet e pronave ende vijojnë të jenë më të lira sesa ato në Malin e Zi dhe Kroaci”./Monitor