“I sëmurë, jetim dhe i pastrehë”, 35-vjeçari fle rrugëve të Tiranës në prag të dimrit

Redaksia e JOQ Albania ka marrë një apel për ndihmë nga një qytetar, i cili ka ndarë një histori prekëse me të cilën u përball mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pranë Pazarit të Ri.

Qytetari shprehet se ka hasur një 35-vjeçar të pastrehë, i cili flinte jashtë në rrugë në temperatura të ulëta.

Sipas qytetarit, 35-vjeçari ka humbur të dy prindërit dhe është në një gjendje të vështirë shëndetësore, gjë e cila e bën të pamundur që ai të punojë.

Kur u pyet nëse kishte ngrënë, ai u përgjigj se nuk kishte pasur asgjë për të ngrënë gjatë gjithë ditës. Qytetari u prek nga situata e tij dhe vendosi t’i blinte ushqim për të ndihmuar.

“Prsh JOQ! Mbreme ne dark ne oren 2 ne tirane tek pazari ri ishte nje person qe flinte ne rrug jasht ishte shum ftoht ju afrova dhe e pyeta mos ka ngren dhe tha qe skishte ngren gjith diten shkova i mora ushqim per te ngren ishte 35 vjec prinderit i kishin nderruar jet ishte edhe i semure shperndaje mbase i shofin dhe te tjeret q ta ndihmojn me ushqime se sot un neser pasneser dikush tjt”, shprehet qytetari.

Ky apel ka për qëllim të sensibilizojë komunitetin që të tregojë solidaritet dhe të ndihmojë ata që ndodhen në situata të vështira, në një moment kur ndodhemi në prag të dimrit dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit.

Nëse dikush e njeh këtë person ose ka mundësi ta ndihmojë, çdo gjest i mirë është i mirëpritur dhe jetik për 35-vjeçarin e pastrehë.