Roja humbi jetën te “Albcontrol”, Policia e Tiranës: Ishte disa metra larg vendit të shërbimit

Policia e Tiranës ka reaguar pas lajmit se një roje i kompanisë “Illyrian Guard” ndërroi jetë pasi ra në kontakt me energjinë elektrike në kullën e kontrollit të trafikut ajror të “Albcontrol”.

Lajmin e dhanë familjarët, duke u ankuar për mungesën e reagimit të shpejtë të shërbimit të emergjencës dhe neglizhencën e kompanisë “Illyrian Guard” për t’i dhënë atyre informacion mbi ngjarjen.

Në njoftimin për mediat, Policia e Tiranës thekson se roja ndërroi jetë pasi ra në kontakt me energjinë në një kabinë elektrike, disa metra larg vendit të shërbimit.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 09.11.2024, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore shtetasi H. D., 56 vjeç, punonjës i Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike, i cili dyshohet se gjatë orarit të punës, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike në një kabinë elektrike (disa metra larg vendit ku kryente shërbimin). Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.