Këto janë pamjet e vendit ku do të qëndrojnë kontenierët me mbetje të dyshuara të rrezikshme.
Pasi qëndroi prej më shumë se dy javësh në radë, anija “Moliva” e cila ishte nisur në fillim të gushtit për në Tajlandë, është ankoruar sot në portin e Durrësit, ku edhe janë shkarkuar kontenierët.
Pas vendimit të prokurorisë së Durrësit, autoritetet portuale kanë vendosur që këto mbetje të qëndrojnë në zonën e Porto Romanos, në afërsi të EcoPark-ut, ku gjatë këtyre ditëve është krijuar një hapësirë e posaçme. Ato do të monitorohen nga policia e Shtetit.
Hapësira në fjalë, është një pronë e sekuestruar kohë më parë nga AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara).
Kujtojmë se prokuroria kishte vendosur që kontenierët të mos hapeshin si dhe të monitorohen me kamera 24 orë. Analizat e lëndës së dyshuar të rrezikshme do të bëhen në laboratorë vendas.
Alarmi për anijen me mbetje toksike që ishte nisur nga Porti I Durrësit e dha rrjeti i Baselit, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike, e cila paralajmëroi Malajzinë dhe më pas Tajlandën për ngarkesat.