Shpesh kur na ndodh një ngjarje e caktuar në jetë, ajo na mban mbërthyer pas vetes për shumë kohë, ndoshta edhe përgjithmonë.
Kështu i ka ndodhur edhe Ilmi Qazimit, i cili ka kërkuar të ndaj me ne një pjesë të historisë së jetës së tij që ka të bëj me një ngjarje të ndodhur në vitin e largët 1967.
Në atë kohë Ilmiu ishte 22 vjeç. Në familje ishin 7 fëmijë dhe jetonin në fshatin Çepan të Skraparit.
Një ditë, për njërin nga fëmijët, Latifin, 27 vjeç, familjes i erdhi një lajm i hidhur, nga i cili nuk do të shkëputeshin kurrë.
Sipas asaj që u tha, ai ishte vetëmbytur në lumin Vjosë. Por sot e kësaj dite, familja nuk e ka ende të qartë nëse ai vërtet u vetëmbyt, dhe nëse po, për çfarë, apo… e kanë vrarë!
Ilmiu, sot rreth 80 vjeç na e tregon me detaje këtë histori, për të cilën kuptojmë që ka 53 vite që e rrëfen dhe e rrëfen, me çdo mik e shok që takon. E gjithë jeta e tij është rrotulluar rreth zbulimit se përse vëllai i tij u nda nga jeta në ato rrethana.
Ja çfarë ka ndodhur sipas Ilmiut, djalit të vogël të kësaj familje.
Më 12 maj 1967 në familjen e tyre në fshatin Çepan e njoftuan se djali i tyre 27 vjeçar Latif Fodulli, me detyrë inxhinier në Uzinën Ushtarake të Poliçanit, ishte gjendur i vdekur në afërsi të Tepelenës, por kishte kryer vetmbytje dhe kjo quhej vepër armiqësore ndaj trupin e tij mund ta merrnin ose jo.
Sipas Ilmiut, i ati, Saliu, u tha: “qeveria e shkolloi dhe e vuri në punë prandaj unë nuk e dua po qe se është armik i popullit, ndaj trupi i tij të digjet”.
80-vjeçari e vazhdon rrëfimin e tij duke na treguar se:
“Mbas disa orësh një grup tjetër nga shokët e partisë i solli lajmin se “nuk është armik i popullit ndaj mund ta merrni”. Paralelisht nga Poliçani me makinë dhe nga Çepani në këmbë me barelë, u nisën për në morgun e Tepelenës për ta marrë trupin e pajetë. Nga dega e punëve të brendshme të atij rrethi, nuk u lejua kush që të shihte kufomën sepse ajo paskësh qenë e dekompozuar shumë nga qëndrimi në ujë për rreth 15 ditë (28 prill deri 12 maj). U mbyll me ngjitje, saldim, në një arkivol llamarine dhe u përcoll më 13 maj për në fshat. Aty me urdhër të Sekretarit të Parë të Partisë së rrethit të Skraparit që i ishte dhënë mjekut të zonës, gjithashtu nuk u lejua që të hapej arkmorti i mbyllur hermetikisht dhe të shihej kufoma nga prindërit dhe familjarët.
Në datën 14 maj 1967 u bë varrimi ku morën pjesë gjithë banorët dhe asnjë punonjës i administratës vendore. Shoqërisht apo”i deleguar”, erdhi një anëtar i komitetit të partisë së uzinës…Nuk u mbajt asnjë fjalë përcjellëse”.
A u varros edhe e vërteta?
Kështu me varrimin e 27-vjeçarit u varrosën edhe shumë pyetje që do të mbeteshin pa përgjigje sot e kësaj dite për familjen e të ndjerit.
Ata e varrosën djalin për të cilin nuk ishin të bindur se kush ishte dhe gjithçka ishte e dyshimtë, sipas tyre.
Por kjo nuk i pengoi familjarët që të dekurajoheshin dhe ta ndalin aty kërkimin e tyre. Ata e kishin të vështirë të gjenin paqe…
Pas disa ditësh, muaj, por edhe vite familjarët bënë kërkesa gojore e zyrtare me shkrim për arsyet e vdekjes së Latif Fodullit dhe morën vetëm një përgjigje: “Partia do ta zgjidhë këtë çështje.”