Macron thirrje evropianëve pas fitores së Trump: ‘Të zgjohemi, të mbrojmë Europën! Amerika nuk do të kujdeset për ne!

Presidenti francez Emmanuel Macron foli për fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe tha se ka ardhur koha që evropianët të marrin proceset politike në duart e tyre. Gjatë një fjalimi në Samitin e komunitetit politik në Budapest, presidenti francez tha se evropianët duhet të mbrojnë interesat e tyre.

“Ne nuk duhet t’ia delegojmë sigurinë Amerikës përgjithmonë. Lideri amerikan Donald Trump do të mbrojë në mënyrë legjitime interesat e popullit amerikan. A jemi gati të mbrojmë interesat e popujve evropianë?”, tha ai.

Lideri francez tha se fitorja e Ukrainës në luftën kundër Rusisë është interesi më i mirë i Evropës.

“Interesi ynë është që Rusia të mos fitojë”, theksoi 46-vjeçari.

Ai tha gjithashtu se liderët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë forcën dhe vullnetin që ta shkruajnë vetë historinë. Gjithashtu Macron foli pak pasi u bë e ditur se republikani do të bëhej presidenti i 47-të i SHBA-së dhe e uroi për fitoren.

“Ne jemi gati të punojmë së bashku siç kemi bërë për katër vjet. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, përfundoi ai.