Përqafime të ngrohta e batuta, kryeministri Rama takim me Shefin e ri të NATO-s

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Sekretarin e ri të Pargjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi i tyre erdhi teksa ata ndodhen në Budapest, në Samitin e Komitetit Politik Europian që mbahet atje. Ende nuk dihen detaje të tjera nga takimi, ndërkohë që kujtojmë që më herët Rama komentoi zgjedhjen e Donald Trump si President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për herë të dytë.

Rama ka thënë se për shqiptarët “SHBA-ja është SHBA” dhe se nuk bën dallim se kush e drejton Shtëpinë e Bardhë.

“Për Shqipërinë nuk do të thotë asgjë zgjedhja e Trump, në sensin që nuk ndryshon asgjë. Kushdo që është në Shtëpinë e Bardhë nuk bën dallim, meqë SHBA-ja është SHBA. Ne s’jemi të ndikuar nga emocionet, për shkak se për ne është e njëjtë”, ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi më tej se kur Trump ishte zgjedhur për herë të parë President, të gjithë ishin frikësuar, megjithatë thotë se gjatë asaj periudhe, NATO ishte bërë edhe më e fortë.