KORÇË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosjen e regjistruar në Korçë. Motra e të plagosurës, Marjana Plaka është shprehur se ish-kunati i saj, Ilia Cani i ka zënë pritë motrës së saj, Manderina Çela. Sipas saj 41-vjeçari pasi i ka dalë në pritë e ka shtrirë në tokë dhe më pas e ka goditur me thikë.
Ajo më tej shton se e motra e kishte denoncuar në polici dhe ishte pajisur me urdhër mbrojtje. Plaka thekson se edhe pse e motra ishte pajisur me urdhër mbrojtje, 41-vjeçari vazhdonte dhe e përndiqte. Sipas saj autori ishte larguar për 4 muaj në Greqi dhe mës pas ishte kthyer dhe kishte vazhduar me ngacmimet dhe përndjekjet.
“E pashë që nga spitali, motra po kalonte rrugës së spitalit dhe ai i doli përpara, e shtriu në tokë dhe e goditi me thikë. Ka patur shumë probleme më përpara, e ndiqte prej 2 vitesh, pasi motra i dha fund lidhjes. Motra e kishte denoncuar në policia, ajo u pajis me urdhër mbrojtje por vazhdonte përsëri ta përndiqte. Autori ishte në Greqi për 4 muaj, u kthye dhe filloi prapë ta ngacmonte. Ajo dilte për punën e saj, ai se linte rehat. Motra i thoshte mos më ndiq, se jam me burrë e fëmijë. Motra ka shtruar nipin këtu, ai e pa dhe e shtriu poshtë, ia futi thikën”, tha ajo.