Gjithçka nisi të martën e kaluar (22 tetor), kur Jerry Hicks, nga Banner Elk, në perëndim të Karolinës së Veriut, gjeti kartmonedhën jashtë një dyqani në Boone. Në vend që t’i fuste në portofol, Hicks vendosi të shtonte dhe 5 dollarë nga xhepi i tij për të blerë një biletë lotarie prej 25 dollarësh, pasi lloji i biletës që blinte zakonisht nuk ishte në dispozicion.
Sipas Lotarisë së Karolinës së Veriut, shanset për të fituar çmimin e parë ishin 1 në 2,017,650, por Hicks ishte i vetmi fatlum që e bëri të mundur këtë. Brenda pak minutash, ai kaloi nga një person që gjeti 20 dollarë, në një milioner.
Të premten, Hicks shkoi në selinë e Lotarisë për të marrë çmimin. Ai mund të zgjidhte ta merrte shumën në pagesa vjetore për 20 vjet, por preferoi të merrte shumën e plotë prej 600,000 dollarësh, që pas taksave u reduktua në 429,007 dollarë.
Pas 56 vjetësh pune si marangoz, Hicks synon të përdorë këto para për të dalë në pension dhe për të ndihmuar fëmijët e tij në të ardhmen. Por më parë, ai dëshironte të festonte me familjen: “Do të shkojmë drejt e në Golden Corral dhe do të hamë gjithçka që kanë,” u shpreh ai për zyrtarët e llotarisë.