Pamje tragjike, rrufeja godet futbollistët në fushë. Njëri prej tyre humbet jetën, të tjerët plagosen rëndë (video)

Një futbollist peruan, mbrojtësi José Hugo de la Cruz Meza, humbi jetën të dielën, pasi u godit nga rrufeja në fushë. Episodi ndodhi në stadiumin “Coto Coto”, në Chicha, rajonin e Huancayo të Perusë, ku dy skuadrat lokale, Juventud Bellavista dhe Familia Chocca, po luanin nën një rrebesh shiu.

Videot e këtij momenti tragjik tregojnë me saktësi se rrufeja godet disa futbollistë, të cilët njëkohësisht rrëzohen në barin e fushës. Në fakt, rrufeja goditi pak sekonda pasi loja u ndërpre nga arbitri për shkak të stuhisë, teksa lojtarët po largoheshin nga fusha drejt dhomave të zhveshjes.

Mediat lokale raportuan se të plagosurit u transferuan menjëherë në spitalin “Carrión” të Huancayo, ku mjekët konfirmuan vdekjen e de la Cruz Meza. Ka mbetur edhe një i plagosur rëndë, portieri Juan Choca, i cili ka pësuar disa djegie.