Këtë të hënë, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës janë evidentuar dy raste të përdhunimit të të miturave. Në Prishtinë, dyshohet se një e mitur është dhunuar nga pesë persona. Policia e Kosovës thotë se po kryhen hetime: “Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kompetente është duke bërë hetime intensive. Me vendim të prokurorit viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor.”
Nga raportimet e deritanishme mësohet se të dyshuarit ende nuk janë identifikuar. Rasti tjetër është shënuar në qytetin e Pejës, dyshohet se një nëntë vjeçare është përdhunuar nga një 26 vjeçar.
“Dyshohet se është kryer vepra penale e “dhunimit” ndaj një të miture me ç’rast personi i dyshuar është arrestuar dhe prokurori i rastit brenda afatit ligjor ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimi. Viktimës i është dhënë mbrojtja e nevojshme, përfshirë mbrojtësin e viktimave, psikologun, prokurorin e shtetit dhe zyrtarët policor, gjithashtu viktima do të dërgohet për ekzaminim mjekësor. Lidhur me këtë çështje kemi mbledhur prova që janë duke u analizuar dhe do të shërbejnë në procedurë penale”, ka thënë zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Lidhur me rastet e përdhunimit ka reaguar edhe Rrjeti i Grupit të Grave në Kosovë që kërkojnë hetim të menjëhershëm nga ana e institucioneve.
“Nuk duhet të lejojmë assesi që dhuna të normalizohet, prandaj, kërkojmë edhe një herë me ngulm nga institucionet përgjegjëse t’i hetojnë rastet me prioritet dhe me seriozitetin më të lartë, ndërsa përgjegjësit, të marrin dënimet e merituara”.