Iu përmbys makina pas përpjekjes për arrati, policia italiane arreston 20-vjeçarin shqiptar

Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi nuk zbatonte urdhrin për të ndaluar, duke tentuar të arratiset me një makinë të tipit “Fiat” të marrë me qira, së bashku me tre pasagjerë. Ai u kap në Caserta, pas një ndjekjeje të shpejtë që përfshiu manovra të rrezikshme nëpër rrugët e fshatit, duke përfunduar në një aksident ku makina e tij u përmbys.

Pas përplasjes, tre nga katër personat në mjet arritën të arratiseshin në këmbë, ndërsa karabinierët ndaluan drejtuesin, i cili kishte tentuar gjithashtu të largohej. Gjatë kontrollit në makinë, policia gjeti disa kapele, një radio dhe dy telefona celularë. Makina dhe materiali i gjetur u sekuestruan.

Pas procedurave të nevojshme, 20-vjeçari u dërgua në arrest shtëpiak në pritje të veprimeve nga organet kompetente. Hetimet vazhdojnë nga Karabinierët e stacionit Casagiove për identifikimin e pasagjerëve që arritën të largoheshin.