Një goditje nga rrufeja në një kamp refugjatësh në Ugandë ka vrarë 14 persona, ka njoftuar policia e vendit. Sipas policisë, nga goditja 34 të tjerë kanë pësuar lëndime. Një zyrtar bëri të ditur se të gjithë ata që vdiqën ishin fëmijë.
Siç raportohet, incidenti ndodhi në vendbanimin e refugjatëve Palabek në veriperëndim të vendit, shkruan BBC, përcjell Telegrafi. Kohët e fundit në zonë janë parë reshje të dendura shiu me vetëtima. Palabek është shtëpia e më shumë se 80,000 refugjatëve dhe azilkërkuesve, sipas agjencisë së refugjatëve të OKB-së.
Shumë prej tyre janë nga Sudani Jugor fqinj. Ndryshe, katër vjet më parë, rrufeja vrau 10 fëmijë në qytetin Arua, gjithashtu në veriperëndim të Ugandës. Fëmijët u goditën teksa po luanin futboll.