Plagosi me thikë djalin e tij 15-vjeçar pasi nuk pranonte të shkonte në shkollë, gjykata e Korçës lë në burg babain

MALIQ- Lihet në burg Shpëtim Çukën, i cili 5 ditë më parë plagosi me thikë djalin e tij 15 vjeçar në banesën e tyre në fshatin Vreshtas të bashkisë Maliq. Seanca u zhvillua mesditën e kësaj të diele, teksa gjykata ka vendosur masën arrest me burg për babin e të miturit. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 30 tetorit, rreth orës 7:30 minuta, kur djali i Shpëtim Çukës duhet të shkonte në shkollë, shkak që çoi në konfliktin e tyre deri në përdorimin e thikës.

Në dëshminë e dhënë Shpëtim Çuka tha se ai e plagosi djalin, pasi ky i fundit qëndronte në telefon dhe nuk shkonte në shkollë. Plaga që mori 15 vjeçari ishte në brinjë, ndërkohë që pas mjekimit la Spitalin Rajonal të Korçës dhe është rikthyer në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 03.11.2024 ora 11:00 seanca me objekt: “Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasit Shpëtim Çuka i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a/1i Kodit Penal, ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas”, njoftoi sot gjykata.