Një punonjës i policisë është pezulluar nga detyra, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, polici është denoncuar nga një mjeke se ka nxjerrë armën e shërbimit gjatë një vizite mjekësore në spitalin e Gjirokastrës. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit S.K., me detyrë trupë shërbimi në Sektorin e zbatimit të masave plotësuese për kontrollin e territorit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Caktimi i masës së sigurisë u bë i mundur pas kallëzimit të shtetases J.L., mjeke në spitalin “Omer Nishani” Gjirokastër, lidhur me ngjarjen e datës 25.10.2024, ku ky punonjës policie ka nxjerrë armën e shërbimit gjatë një vizite mjekësore.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.