Ish-nënkryetari i PS-së vlerëson Albin Kurtin: Mirënjohje për qeverinë tuaj!

Ish-nënkryetari i PS-së dhe ish-kryetar i Kuvendit, Namik Dokle, është larguar prej kohësh nga politika, ndërsa në rrjetet sociale ndan shpesh foto nga jeta e tij. Së fundmi, Dokle ka ndarë në Facebook, disa foto me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në fshatrat e Gorës në Kukës. Ai falenderon Kurtin për punën që ka bërë për hapjen e disa rrugëve, sipas tij, jetike për banorët e zonës.

“Me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ministrin Liburn Aliu etj. në fshatrat e Gorës. Mirënjohje, Albin, për qeverinë tuaj, që ka bërë një punë të madhe për të hapur disa rrugë jetike për banorët e asaj zone!”, shkruan Dokle krahas fotove.

Ndërkohë dihet se marrëdhënia mes kreut aktual të Partisë Socialiste, Edi Ramës dhe kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka qenë shpesh e vështirë. Dokle siç duket po qëndron realisht larg nga politika, duke shprehur mirënjohjen e tij për liderin e Kosovës.