Moderatorja dhe sipërmarrësja Amarda Toska ka rrëfyer për herë të parë një episod të panjohur publikisht. Një abort spontan i disa viteve më parë, kur foshnja në barkun e saj ishte tre muajshe dhe do të ishte fëmija i saj i parë. Pas martesës me Ermal Mamaqin, shpesh përflitej për një shtatzëni të mundshme, por gjithçka mbeti në kuadrin e thashethemeve deri kur Ami u tërhoq papritur nga “Dancing With The Stars”, një spektakël ku ajo ishte prezantuese.
Në një rrëfim të hapur me Orinda Hutën në podcast-in “Mam”, ajo zbuloi se shtatzënia e parë nuk shkoi siç pritej. Vetëm dy ditë para finales, mjeku e këshilloi të kalonte në regjim shtrati për të shmangur komplikacionet.
“Ishte pikërisht natën finale të ‘Dancing’ dhe unë isha 3-muajshe shtatzënë”, tha Ami. “Ishte një vendim i vështirë, por e ndjeva që ishte i duhuri. Ishte sfidë mes dëshirës për të mbajtur shtatzëninë dhe angazhimit që kisha në spektakël.”
Megjithëse finalja përfundoi me sukses, disa ditë më vonë Ami mësoi se shtatzënia ishte ndërprerë spontanisht.
“Nuk ia dola dot. Një ditë të bukur pata rrjedhjen e ujërave në mënyrë spontane edhe pse e kisha bërë regjimin për mbi dy javë dhe kaq, kur ndjeva që më rrodhën ujërat thashë diçka nuk është mirë, shkova menjëherë te mjeku dhe aty më tha që çdo gjë ka përfunduar. Ishte një tentativë për të shpëtuar një jetë, por gjërat nuk i kemi në dorë.”