Atentati me 3 viktima dhe një të plagosur në Shkodër vijon të mbetet pa autor. Për ngjarjen zyrtarisht nuk ka asnjë të ndaluar, ndërsa të gjitha shoqërimet e kryera nuk e kanë ndihmuar deri më tani policinë dhe prokurorinë të bëjë të mundur identifikimin e autorëve.
Të gjithë personat e shoqëruar kanë mohuar të kenë dijeni apo lidhje me vrasjen, ndërsa një pjesë e tyre që rezultojnë punonjes të bizneseve përreth, kanë treguar se nga paniku nuk kanë arritur të shohin asgjë. Ndërkohë detaje të reja kanë dalë në dritë: mësohet nga burime pranë grupit hetimor se pak minuta përpara atentatit, zona ku ndodhi krimi ka patur shkëputje të energjisë elektrike.
Kjo sipas tyre ka ndikuar që një pjesë e kamerave të sigurisë të bizneseve të mos regjistrojne momentin e atentatit. Një pamje amatore e filmuar nga kalimtarët e rastit ka ngritur dyshime se edhe një person i tretë ndodhej në mjetin e viktimave, të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Për këtë qëllim në laboratorin e kriminalistikës është derguar për ekzaminim një kampion gjaku i gjetur në sedijen e pasme të makinës. Paralelisht po pritet edhe ekspertiza për 5 armet e krimit, dy kallashnikovët në makinën e autorëve dhe 3 pistoletat në makinën e viktimave, që policia i sekuestroi si prova materiale.
Mjeti i djegur i autorëve per shkak të dëmtimit nga flakët nuk ka asnje gjurme tjetër dhe rezulton e dëmtuar edhe numri i shasisë. Hetimet janë shtrirë në disa pista, ku kryesorja mbetet ajo larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, për shkak të përplasjesve të hershme që janë shënuar mes tyre në këto vite në Shkodër.