Kujdes nga fotoja sponsor e vajzës së vogël me kancer! Ju vjedh!

Një rast shqetësues mashtrimi me donacionet online është denoncuar nga një qytetar në JOQ Albania.

Foton e sponsorizuar të një vajze të vogël me kancer me siguri e keni parë të gjithë ditët e fundit në rrjetet sociale.

Një faqe interneti mashtruese pretendon të mbledhë donacione për këtë vajzë të vogël me kancer, fotoja e së cilës të prek në zemër. Denoncuesi ka theksuar se faqja është shfaqur si reklamë e sponsorizuar dhe ka tërhequr shumë njerëz duke i vjedhur donacionet ashtu si edhe vetë atij.

Sipas denoncuesit, faqja ka ekzistuar vetëm për gjashtë muaj dhe identiteti i personit që e ka krijuar është i fshehur.

Ai shprehet se, duke parë fotografinë e vajzës, është ndjerë i prekur, sidomos si baba i dy vajzave të vogla, dhe vendosi të dhurojë një shumë simbolike prej 5€. Ai ka bërë një raport për këtë faqe në emailin për phishing të PayPal.

Pavarësisht se ai e konsideron dhurimin e tij si minimal, shqetësimi i tij ka marrë përmasa më të mëdha pasi pa se shumë të tjerë janë prekur nga po e njëjta foto dhe kanë dhuruar shuma më të mëdha.

Ai ka zbuluar se që nga momenti që ai ka dërguar screenshot-in e dhurimeve, vlera totale e dhurimeve të tjera nuk ka ndryshuar, duke qëndruar rreth 110€.

Ky rast ngre shqetësime serioze mbi etikën e mbledhjes së fondeve në internet dhe rrezikun e mashtrimeve që prekin ata që duan të ndihmojnë.

Denoncuesi inkurajon të tjerët të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë informacionin përpara se të kontribuojnë.

Ai shkruan:

“Ju lutem raportojeni kte faqe mashtruese donacionesh per vajzen e vogel me kancer qe po i shfaqet kujtdo si reklame e sponsorizuar.

Po shikoj qe shume te tjere po mashtrohen si puna ime. Dhe po dhurojne te genjyer nga fotoja e femijes. Domaini i faqes ka 6 muaj qe eshte krijuar. Dher personi qe e ka krijuar ka fshehur identitetin.

Ky është dhurimi simbolik 5€ qe bera. Nje specialist it mund ta verifikoje linkun. Duke pare foton e femijes u mashtrova pasi jam baba i dy gocave te vogla dhe se mendova 2 here. Ajo qe dhurova un eshte e paperfillshme por te tjere po dhuronin me shum te prekur nga ajo qe shihnin e lexoni tek pershkrimi.

Un i bera report tek emaili per phishing i paypal.

Keto jane dhurimet qe po behen nga te tjeret. Dhe vlera totale e dhuruar nuk ndryshon edhe pse jane bere rreth 110€ dhurime te tjera qe nga momenti qe ju nisa screenschot. Qe ne oren 7 qe bera une dhurimin eshte po e njejta vlere totale.”