Euro me rekord tjetër historik, “paratë e pista” forcojnë rënien

Rënia e kursit të këmbimit euro-lek po thyen rekorde të reja këtë javë, me euro që u këmbye ditën e sotme me 98.38 lekë, niveli më i ulët historik në raport me lekun që kur Euro u bë monedha zyrtare e Bashkimit Europian.

Arsyeja kryesore e rënies së euros lidhet me fluksin e madh të valutës europiane që po qarkullon në vend. Ky fluks i rritur çdo ditë e më shumë në tregun valutor vendas, po vë në vështirësi serioze Bankën e Shqipërisë, e cila, pavarësisht përpjekjeve për të ndërhyrë, nuk ka arritur të ndalojë zhvlerësimin e monedhës europiane.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit tetor, Banka e Shqipërisë ka rifilluar ndërhyrjet në tregun valutor, duke blerë euro për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit dhe ruajtur stabilitetin financiar të vendit. Deri më tani, për këtë vit Banka e Shqipërisë ka realizuar blerje rekord të valutës, me një total prej 272 milionë eurosh, përfshirë 134.2 milionë euro për nevojat e rezervës valutore dhe 137.6 milionë euro nga operacione direkte. Pas një tërheqjeje të përkohshme në gusht, kursi i euros ra poshtë nivelit të 100 lekëve, por presionet e rënies janë forcuar përsëri, duke i detyruar autoritetet të ndërhyjnë sërish.

Institucionet shtetërore argumentojnë se turizmi dhe investimet e huaja kanë sjellë një fluks të madh valute, veçanërisht euro dhe dollarë, duke ndikuar në rënien e vlerës së monedhave të huaja përballë lekut. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një rol të rëndësishëm në këtë zhvlerësim ka paraja informale që po qarkullon në treg dhe investohet kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Zhvlerësimi i euros po ndikon ndjeshëm në ekonominë e vendit. Eksportuesit janë ndër më të prekurit, pasi humbjet në të ardhurat e tyre llogariten në miliona lekë, ndërkohë që edhe vetë arka e shtetit është goditur dhe shumë sipërmarrje në industrinë fason kanë deklaruar se janë në prag falimentimi. Të fituarit më të mëdhenj janë importuesit, që po blejnë më lirë dhe qeveria që i ulet kosto e borxhit të jashtëm.

Ndërsa nga ana tjetër, individët që kanë kredi në euro janë më të lehtësuar.