Zinxhir aksidentesh, një person me maskë hedh vaj në RRUGEN E ARBRIT

RRUGA E ARBRIT- Në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan më 18 tetor 2024 erdhën disa denoncime nga qytetarë të ndryshëm të cilët përdorin Rrugën e Arbrit. Ata thanë se se bypass-in që lidh këtë aks në Qafë-Murriz, kanë hedhur vaj makinash transparent në asfalt.

Për pasojë makinat përplasen e bëjnë aksidente. Sipas dëshmisë së një zonje të përfshirë në aksident, janë pronarët e karrotrecave që hedhin vajin e lënë numrat e shërbimit të tyre në muret anësorë të rrugës.

Denoncuesja: Sa të fillojë një shi, ato karrotrecat që vënë numrat aty se dyshoj, se unë nuk jam prokurore, dyshoj se ato e bëjnë.

Gazetari: Po ju si u aksidentuat, na e tregon pak? Rrëshqiti makina apo çfarë ndodhi?

Denoncuesja: Jo, jo, jo fare, fare, ne po ngjiteshim sipër, erdhi një fuoristradë nga lart, te kthesa atje ku po ngjitesh për në lokalin e Qafë-Murrizit edhe aty kishin hedhur vaj, rrëshqiti fuoristrada, lëkundej dhe nga krahu tjetër erdhi na ra ne në këtë krah, jo vetëm ai por shumë.

Gazetari: Çfarë thonë shoferët?

Denoncuesja: Të gjithë shoferët, ashtu hedhin vaj thonë, në çdo kthesë.

Gazetari: Hedhin këta që kanë karrotrecët, që shënojnë numrin te muret?

Denoncuesja: E kanë shënuar numrin atje, e shënojnë te muret, edhe sa fillon shiu ato hedhin vaj që të rrëshqasin.

Gazetari: Po automjeti që ju drejtonit kishte nevojë për t’u marrë me karrotrec më pas, u dëmtua?

Denoncuesja: Po e morëm ne karrotrecin, e çuam atje e kemi në riparim, se unë s’jam shofere po im shoq.

Gazetari: Morët një nga këta numrat që janë të shkruar në mur?

Denoncuesja: Po, një nga ato.

Më 20 tetor, duke u gdhirë e diela është parë një person rreth 55-60 vjeç me maskë Covid-i në Qafë-Murriz, me një makinë të vogël të errët dhe dyshohet se mund të jetë autori i hedhjes së vajit në këtë aks rrugor ku ndodhën aksidentet.

Renis Vangjelaj, specialist i trafikut interurban, thotë se do të merren kamerat e subjekteve afër këtij aksi për të identifikuar automjetin që ka kaluar pas mensatës së të dielës. Më pas do të ndiqet pista nëse ky automjet ka lidhje me biznezin e karrotrecit. Gjithashtu edhe qelizat telefonike do të identifikojnë se sa persona kanë qenë me telefon në atë zonë në atë ditë e orë./tvklan.al