“Trupi m’u mbush me pulla të zeza”/U diagnostikua me leucemi në moshën 7-vjeçare: Mjekët më dhanë 2 javë jetë

Me shumë emocione dhe një buzëqeshje që i ndriçon gjithë fytyrën, pas së cilës qëndron një histori aspak e lehtë. Desi, protagonistja e “Ka Një Mesazh Për Ty” vjen posaçërisht nga Italia për të ndarë rrëfimin e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Historia nis kur ajo ishte 7 vjeçe dhe diçka në rritjen e saj çalonte, por u desh një zile alarmi që të kërkohej ndihma e mjekëve.

Desi: Mamaja në moshën 7 vjeçe e gjysmë kuptoi që tek unë nuk shkon diçka sepse moshataret e mia rriteshin, kishin ndryshimet e trupit të tyre ndërsa tek unë dilnin vetëm pulla të zeza por nuk më dhimbnin. Një ditë ajo dyshoi shumë sepse më bleu një palë këpucë të reja dhe mua më dukeshin shumë të rënda, nuk i ngrija dot. Pastaj shkuam në Tiranë, bëmë analizat dhe aty na shtruan direkt, por nuk na thanë arsyen përse.

Babai i Desit ishte emigrant në Itali dhe ishte larguar kur vajza ishte 4 vjeçe. Në krah të familjes gjendeshin të afërmit, ndërsa vëllezërit qëndronin në Kavajë. Desi dhe nëna e saj ndenjën 6 muaj në spital.

Desi: Një ditë erdhi një infermiere dhe dëgjova që tha “vajza ka leucemi”. Nuk shërohej në Shqipëri jo, as në Greqi, as në Turqi, vetëm në Gjermani dhe në Itali.

Ardit Gjebrea: Babi e mori vesh?

Desi: Babi e mori vesh.

Ardit Gjebrea: Erdhi?

Desi: Kurrë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi me ty më aps?

Desi: Më pas, mami se është shumë besimtare bektashiane, shkoi te Kryegjyshata këtu në Tiranë dhe u fal. Të nesërmen, nuk e di, ishte si mrekulli, vjen një doktoreshë italiane me një fondacion me një grua shqiptare që mund të përkthente. Ato në fakt nuk kishin ardhur për ne, por për një vajzë tjetër, për një person tjetër që e kishin parë në televizor por atë e kishin çuar në shtëpi se ishte bërë më mirë dhe mund të shërohej këtu në Shqipëri. Pastaj aty filluam të bisedonim me të, na dha shansin që mund të shkonim në Itali. Atje ishte çdo gjë ndryshe… më bukur dhe ato na ndihmuan jashtë mase. Kur bëmë analizat e para atje, më jepnin vetëm dy javë kohë./tvklan.al