‘Ish-i i burrit na përndjek!’ Adriana dyshuese ndaj të shoqit: Mos të ka vajtur mendja për atë?

Adriana ka kërkuar ndihmën e “Shihemi në Gjyq” për të gjetur një rrugë ndërmjetësimi mes saj dhe bashkëshortit, Bashkimit. Siç shpjegon ajo në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, problemi vjen prej ish-bashkëshortes së tij.

Adriana dhe Bashkimi vijnë nga martesa të mëparshme respektive dhe tashmë janë martuar bashkë. Adriana thotë se mendonte se do të gjente lumturinë, por është përballur me praninë e vazhdueshme të ish-bashkëshortes së tij në jetën e tyre që e shqetëson.

Adriana: Ish-gruaja e burrit tim na shfaqet kudo, na e ka bërë jetën shumë të vështirë, jo vetëm mua, por edhe burrit tim. Kudo që të shkojmë, atë do ta kemi nga mbrapa, në çdo vend që të shkojmë, në çdo vend që të shkojmë ajo do të na shajë, do të na ofendojë me fjalët më fyese që mua nuk m’i lejon fjalori që t’i them, është shumë ofenduese për mua.

Eni Çobani: Zonja e parë e Bashkimit?

Adriana: Po, zonja e parë e Bashkimit. Tani ai në vend që të fillojë të marrë drejtim, rri shumë i qetë, nuk e di çfarë ka.

Ardit Gjebrea: Ju shan të dyve apo vetëm ty?

Adriana: Më shan edhe mua, shan edhe këtë, më thotë mua “ik, ik, ec para ti, s’ke punë, kush je ti, çfarë do ti”, gjithmonë pretendon nga ai shumë gjëra, pretendon para, nuk e di çfarë ka ose është e betuar të më ndajë mua me atë. Bashkimi duhet të flasë, nuk e di tani.

Ardit Gjebrea: Po Bashkimi ç’faj ka në këtë mes?

Adriana: Bashkimi nuk e di, duhet të jetë më i zoti që t’i tregojë vendin asaj. Nëse do të jetojë me atë, të shkojë me atë, nëse do të jetojë me mua, të vijë me mua, nuk e di. Unë dua të jetoj e lumtur, nuk jam e lumtur, jam në gjendje shumë depresive nga të gjitha anët.

Çifti është i martuar prej 5 vitesh. Adriana tregon se e ka gjetur të ndarë Bashkimin, ndërsa ky i fundit shton se pjesë e problemit është fakti që shtëpitë e tyre dhe ish-gruas së tij janë pranë. Kjo bën që çifti dhe ajo të rastisin shpesh dhe të ndodhin takime të pakëndshme.

Bashkim: Kjo del të bëjë pazare, e takon rrugës atë, edhe unë kur dalim.

Ardit Gjebrea: Më fal, ti kur del rrugës, e takon atë?

Adriana: Ku di unë, mbase e takon.

Bashkim: Unë them që mundet të rastisë se jemi afër.

Ardit Gjebrea: E qartë, them që kur e takon ia jep dorën, e takon?

Adriana: E takon si s’e takon ai!

Ardit Gjebrea: Po armiq nuk janë!

Adriana: Si nuk janë armiq, po ta takojë shpesh?! Jo do të lajmë tokat, jo do të ndajmë shtëpinë, jo do të ndajmë këtë. Vajti kaq vjet kjo z. Ardit, njeriut i jepet një drejtim. Ta bëjë pra ndarjen e pasurisë, të bëjë çfarë të dojë, jo ta takojë atë një më dy në rrugë, unë s’do të merrem me atë. Edhe unë jam e frustruar ashtu, s’mund të jetoj në atë mënyrë unë! Unë kam besim pra por ka ikur besimi nga bashkëshorti im, si mund të jetoj unë?

Eni Çobani: Kur ka filluar ky shqetësim, që nga dita e parë?

Adriana: Që nga dita që kam ardhur unë, ashtu ka filluar ai, një e më dy takonte atë. Tani duhet të ndajnë pasurinë, kanë pronat, kanë shtëpinë qës’e kanë ndarë akoma. Në qoftë se do të ndajë pasurinë, të shkojë në gjyq, të hapë seancë gjyqësore të bëjë çfarë të dojë, jo të takojë atë zonjën. Ore, mos të ka vajtur mendja për atë ty? Ik merre, aty e ke!

Bashkim: Jo, për atë jo, mund të gjej ndonjë tjetër.

Sipas shpjegimit të Adrianës në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, të dyja palët jetojnë në Zvicër dhe shtëpitë ndodhen pranë. Takimet e rastësishme mes tyre janë shumë të shpeshta, por Adriana është e shqetësuar e madje siç pranoi edhe vetë, xheloze për takimet mes Bashkimit e ish-it të tij.

Nga ana tjetër, Bashkimi thotë se ka diçka tjetër në këtë histori. Përgjatë martesës së parë, është vendosur një pasuri e përbashkët, vilë trekatëshe në Vorë. Në vitin 2018 që ka ndodhur divorci, ai ka pasur një detyrim financiar ndaj njërit prej dy fëmijëve i cili vazhdonte studimet e larta.

Eni Çobani shpjegon si ka rrjedhur zhvillimi i pagesave duke qenë se divorci është bërë në Shqipëri ndërsa të gjithë jetojnë në Zvicër.

Eni Çobani: Në ’18-ën është bërë zgjidhja e martesës, zotërisë i është lënë një detyrim kundrejt njërit prej fëmijëve për shkak që ky fëmijë vazhdonte studimet e larta dhe meqenëse ligji thotë deri në përfundim të studimeve të larta, edhe pse fëmija mund të jetë madhor, prindi i cili nuk e ka kujdestarinë e këtij fëmije, duhet të paguajë edhe pension ushqimor. Këtë pension ushqimor zotëria nuk kishte filluar t’ia jepte sepse kishte pasur pretendimin që këtë zonja po e merrte në Zvicër, ndërkohë zonja vjen në Shqipëri, vë në ekzekutim këtë detyrim të cilin thotë që meqenëse zotëria nuk më ka paguar për kaq vite, kjo kalon me vlerën e gjysmës së banesës që i takon Bashkimit. Ndërkohë merr të gjithë banesën dhe i thotë Bashkimit që ti nuk ke vend këtu sepse unë e kam fituar me përmbarim për shkak të mospagimit të detyrimit ushqimor.

Sipas Çobanit, kjo është edhe arsyeja që kanë ndodhur takimet e shpeshta mes Bashkimit e ish-gruas së tij. Ai ka dashur t’i shpjegojë që detyrimi financiar është shlyer dhe s’ka arsye që ai të paguajë edhe në Shqipëri, madje kjo dëshmohet përmes transfertave bankare.

Eni Çobani: Vendimi që mbaron në Shqipëri merr formë të prerë. Në momentin që merr formë të prerë dhe ne nuk jetojmë në Shqipëri, por divorcin e kemi bërë në Shqipëri, atëherë ky vendim na vlen për shtetin në të cilin jetojnë të dy sepse ky detyrim nuk mund të merrej nga Shqipëria sepse çifti jetonte atje, dajali shkollohej atje. Atëherë merret vendimi, noterizohet, vihet edhe vula apostile dhe çohet në shtetin përkatës. Atje merret një avokat dhe bëhet një ekzekutim dhe këtë e ka bërë zonja në Zvicër, pra e ka marrë vendimin shqiptar, e ka vënë në ekzekutim dhe i ka thënë Bashkimi avokati atje kaq e ke faturën zotëri për djalin derisa të përfundojë shkollimin dhe Bashkimi ka filluar se edhe në qoftë se nuk e bën Bashkimi, ta mban shteti direkt nga banka.

Detyrimi financiar njihet, por ish-gruaja e Bashkimit ka marrë vendimin dhe ka shkuar në një zyrë përmbarimore në Shqipëri ku nuk dihet nëse e ka informuar për procedurat e mëparshme. Zyra ka vijuar me përllogaritjen duke rezultuar se vlera që Bashkimi duhet të paguajë në Shqipëri përkon me gjysmën e vilës. Ndërkohë në vendimin e gjykatës është caktuar një pension prej 30.000 lekësh ndërsa Adriana shton se në Zvicër, Bashkimi i ka paguar ish-gruas edhe 15.000 franga shtesë./tvklan.al