Audio-regjistrimi i 21 janarit, SPAK dërgon në laborator kasetën për ‘ekspertim për autenticitetin dhe identifikimi i zërave!’

TIRANA- Prokuroria e Posaçme ka dërguar në laborator për ekspertim kasetën e dorëzuar pak javë më parë, e cila sipas familjareve të të ndjerit Aleks Nika, tregon se vrasjet janë kryer me urdhër. Kaseta përmban 34 minuta audio-regjistrim të komunikimeve të drejtuesve të Gardës në ngjarjen e 21 janarit 2011.

Në të pretendohet se dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër. Gjithashtu dyshohet se regjistrimi është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat.

Regjistrimi i komunikimeve konsiderohet një provë e re për procesin, ndërsa ende nuk është mësuar se kush ka qenë personi që ka regjistruar urdhrat. Disa ditë më parë është paraqitur në SPAK ish-drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësi i tij Agron Kuliçaj. Të dy janë akuzuar për zbatimin e urdhrave të arrestit të prokurorisë 18 ditë me vonesë, për Ndrea Prendin dhe 5 gardistët e tjerë, që dëmtoi rëndë hetimin.

Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për 21 janarin 2021 pasi Gjykata e Strasburgut e urdhëroi të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës. Gjykata e Strasburgu e quajti krim shtetëror që duhej zbardhur.