Autostrada Tiranë-Durrës me 4 korsi në secilin drejtim, nis puna për gërmimin e trupit të rrugës

Në autostradën Tiranë-Durrës ka nisur puna për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra korsi do të shërbejë për emergjencat, duke e bërë autostradën në përfundim të punimeve me nga katër korsi në secilin drejtim.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale tha se po vijojnë punimet në Lotin 1, për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se pas spostimit të gjelbërimit kanë filluar punimet për gërmimin e trupit të rrugës dhe mbushjen e saj me material. Po ashtu, paralelisht vazhdon puna për sistemimin e kanalit anësor dhe pilotimin e trupit të rrugës në zonën e quajtur “Qafa e Kasharit”.

Puna për zgjerimin e autostradës ka nisur në 2 lotet e para, kthesa Kamzë-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilat janë shpallur edhe fituesit. Projekti pritet të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme. Gjatë kësaj periudhe, nuk është parashikuar bllokimi i autostradës, por do të ketë kufizime të shpejtësisë së lëvizjes, me qëllim ruajtjen e sigurisë së ndërtimit dhe të udhëtarëve.

Aktualisht, shpejtësia e lejuar në këtë segment është deri në 90 kilometra për orë, një kufizim që do të rritet në 130 kilometra për orë pas përfundimit të zgjerimit. Pjesë e këtij projekti ishte edhe zhvendosja e bimëve ekzistuese nga autostrada drejt Parkut të Liqenit Artificial, duke siguruar kështu jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por dhe ruajtjen e gjelbërimit urban.