Harroi fjalëkalimin për 11 vjet, hakeri e ndihmon të zhbllokojë portofolin me $3 milionë Bitcoin

Nëse do të gjenit para në çanta që nuk keni përdorur prej kohësh pa dyshim që do të gëzoheshit, por imagjinoni gëzimin e dikujt që ka arritur të ketë akses pas 11 vitesh në një portofol dixhital Bitcoin-i me vlerë 3 milion dollarë.

Një pronar anonim iu drejtua inxhinierit elektrik Joe Grand, i njohur online si ‘Kingpin’, për të hakeruar një skedar të enkriptuar që përmbante 43.6 BTC. Pronari kishte përdorur një gjenerator të rastësishëm fjalëkalimesh të quajtur Roboform për të mbrojtur portofolin e tij, por në përpjekje për të siguruar sa më mirë kriptovalutën, e kishte humbur fjalëkalimin.

I shqetësuar se mund të sulmohej kibernetikisht dhe t’i vidhej fjalëkalimi, ai kërkoi ndihmën e Grand për të rikuperuar portofolin dixhital, veprim që ai kishte bërë edhe në 2022 kur ndihmoi një tjetër person të rikuperonte mbi 2 milionë dollarë në kriptovalutë.

Grand zgjodhi të ndihmonte pronarin duke përdorur një mjet të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) për të zbërthyer kodin e gjeneratorit të fjalëkalimeve. “Në një botë ideale, kur gjeneron një fjalëkalim, duhet të marrësh një rezultat unik dhe të rastësishëm çdo herë,” tha ai.

Por, për fat të keq, versionet e vjetra të Roboform nuk e bënin këtë gjë. Grand ndryshoi kohën e sistemit për ta çuar në vitin 2013 kur fjalëkalimi ishte krijuar dhe, me disa tentativa, arriti të rikrijojë të njëjtin fjalëkalim. Kështu, ai dhe kolegu i tij arritën të krijonin miliona kombinime të mundshme, duke mundësuar zhbllokimin e portofolit.

“Patëm shumë fat që parametrat dhe koha ishin të sakta,” tha Grand, duke theksuar se çdo gabim në këto parametra do t’i çonte në përpjekjet e tyre dëm.