Një ngjarje e rëndë është shënuar në Fier, ku një banesë lagjen “15 Tetori”, brenda së cilës ndodheshin dy të moshuar, u përfshi nga flakët.
Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi Altjon Sulejmani, 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.
Fqinjët e të moshuarve thanë për mediat se për të moshuarit kujdesej një grua që paguhej nga vajza e tyre, e cila jetonte jashtë vendit, ndërsa djali që i vuri flakën shtëpisë është i sëmurë.
“Kishin një punëtore, kishte dy ditë që kishte ikur. Kishin atë djalin e tyre, kanë edhe një vajzë. Janë të dy të paralizuar, djali ishte i sëmurë”, thotë një fqinje.
“Për pleqtë kujdeset një grua, e paguan vajza që jeton jashtë shtetit. Nuk pamë gjë, vetëm dëgjuam zhurmë, kishte zjarrfikës, polici”, tregon një fqinje tjetër.
Romeo Mersini, një i ri që ka ndërhyrë për t’i shpëtuar të moshuarit nga flakët, deklaroi se ata i kanë thënë se djali kishte spërkatur bombulën e gazit me benzinë dhe i kishte vënë flakën.
“U ktheva nga puna, më thotë xhaxhi “O Romeo ndihmë”. U futa midis zjarrit. Shkova i ndihmova unë, e di gjithë lagjia. Unë shkova i nxora. U futa mes zjarrit, nuk mund të hynte shteti se kishte shumë zjarr. Unë e fika me kova uji, më ndihmuan dhe komshinjtë. Nxora një herë babanë te ballkoni, poastaj e nxora zonjën megjithë shtetin. Debatova me zjarrfikësen. I thosha “hyni brenda”, talleshin me mua.