U la në qeli nga GJKKO, Ilir Meta do të dërgohet te burgu 313 në Tiranë

GJKKO ka vendosur që të lërë në fuqi arrestin me burg për kreun e PL Ilir Meta. Gjithashtu mësohet se Meta do të vendoset tek burgu 313 në Tiranë.

Pasditen e sotme ka përfunduar në GJKKO seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deputetes Monika Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. Mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën “arrest me burg” për Ilir Metën dhe masën “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin. Për Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon u la masa “detyrim paraqitjeje”.

Seanca maratonë ka nisur prej orës 09.30, por u ndërpre në 10:30 për të rinisur më pas në 13:30. Ndërkohë në pjesën e parë të seancës ka pasur dhe një debat të fortë mes Metës dhe kryeprokurorit Altin Dumanit. Meta raportohet se ka përdorur edhe fjalor fyes ndaj tij.