Me urdhër të SPAK, Ilir Meta është arrestuar një ditë më parë në Tiranë, ndërsa për Monika Kryemadhi është lëshuar masa e detyrimit me paraqitje.
Në dosjen e SPAK, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, zbardhet dhe vlera e një vile nga çifti Meta-Kryemadhi, e blerë për 60 mijë dollarë dhe e shitur për 300 mijë euro.
Sipas SPAK, në funksion të hetimit është bërë verifikimi i deklarimit të interesave private periodike/ vjetore të plotësuara dhe të dorëzuara pranë ILDKPKI-së nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ku rezulton se Monika Kryemadhi në dt. 29.03.2004 ka deklaruar:
-Adresa e banimit është “Rr. Durrësit”, prapa Doganës, Unaza e Re.
-Pasuri e paluajtshme 1200 m2 tokë arë dhe 200 m2 truall + 50 m2 ndërtesë, dhuruar nga i cili e ka përfituar me ligjin 7501.
-Apartament banimi 99.5 m2, pas. 7/135+8-103, pjesa takuese 25%, me privatizim vëllai
-Banesë me sipërfaqe 327 m2 me verande + lulishte, vlera 60 mijë USD, kredi, e porositur me kontratën 5353/945 datë 30 Tetor 2002.
-Gjendja e kredisë 52.420 USD
Në lidhje me pasurinë banesë me sipërfaqe 372 m2 me verande dhe lulishte me vlerë 60 mijë USD, u bë këqyrja e referencës së regjistrimit të saj në Agjencinë Shtetërore të Kadastres dhe rezulton se në datën 30 Tetor 2002, midis Sipërmarrësit dhe Porositësit Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta është lidhur kontrata e porosisë. Vlera e kontratës së sipërmarrjes është 60.000 USD. Financimi i këtij apartamenti është bërë nëpërmjet një kredie, nëpërmjet të cilës Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë marrë kredi në vlerën 60 mije USD me shlyerje me 84 këste mujore prej 820,13 USD. Vila ka një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi 327,6 m2.
Në deklaratën e interesave vjetore të vitit 2006 (dorëzuar në ILDKP në datën 30 Mars 2007), Ilir Meta ka deklaruar se e ka shitur vilën në fjalë për vlerën 300.000 Euro.