Një 59-vjeçare e dëshpëruar nga gjendja ekonomike në të cilën ndodhet tentoi të vetëflijohet duke i vënë zjarrin vetes ditën e sotme para godinës së Bashkisë së Durrësit.
Punonjës të policisë bashkiake dhe kalimtarë të rastit kanë ndërhyrë shpejt për të shuar zjarrin, që i ka djegur këmbët dhe një pjesë të duarve. Pas ndihmës së parë në urgjencën e spitalit të Durrësit, ajo është dërguar në Tiranë për trajtim të specializuar.
Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike Fatime Gashi tentoi të digjej me benzinë. Vetë e papunë. Po ashtu dhe i biri 29-vjeçar. E vetmja e ardhur e familjes është një pension familjar në masën e 7,700 lekëve që merr pas vdekjes së tê shoqit. Ndaj që nga viti 2021 ajo frekuentonte Qendrën Ditore të të Moshuarve që administrohet nga Bashkia e Durrësit. Por prej ditësh kjo qendër ka mbyllur dyert për të moshuarit pasi është në procedurë tenderimi për ushqimin.
“Fatimja ka ardhur në qendrën tonë në janar të 2021-shit, ka pasur probleme ekonomike Gjatë këshillimit që ka bërë me punonjësit sociale nuk ka shprehur diçka shqetësuese, ka thënë që problemet shëndetësore i ka pasur, por nuk ka pasur problematika”, tha Megi Hasani, Drejtuese e Qendrës Ditore të të Moshuarve për Tch.
Akti i saj para ndërtesës së Bashkisë ka tronditur opinionin publik, ndërsa pensioni i vogël familjar, pamundësia për të punuar e siguruar të ardhura, si dhe mbyllja e qendrës ku ofrohet një vakt i ngrohtë ushqimi dyshohet se janë motivet që e çuan drejt aktit ekstrem.