Skandal! Spitali i nxori me kancer, 33 gra iu nënshtruan gabimisht operacionit për heqjen e mitrës!

Një skandal ka përfshirë një spital në Suedi, ku raportohet se rreth 33 gra iu nënshtruan gabimisht operacionit për heqjen e mitrës. Sipas reagimit të spitalit, gratë janë diagnostikuar gabimisht me kancer të mitrës dhe iu nënshtruan operacionit, edhe pse në fakt ishin të shëndetshme.

“Na vjen shumë keq për atë që ndodhi. Histerektomia është një operacion i madh me pasoja të gjera dhe të pakthyeshme. I kërkojmë falje grave në fjalë”, tha Johan Lughnegaard, kryemjeku në Spitalin Universitar Uppsala në Suedinë lindore.

Pas analizave, gratë në fjalë, nga 38 deri në 85 vjeç (shumica 50-60 vjeç) , u informuan se kishin ndryshime qelizore që janë pararendëse e kancerit të mitrës. Trajtimi i rekomanduar për këtë është heqja kirurgjikale e mitrës dhe, në disa raste, e vezoreve . Për këtë arsye është planifikuar dhe kryer operacioni, sipas spitalit. Megjithatë, më vonë rezultoi se diagnoza ishte e gabuar dhe se operacioni nuk ishte i nevojshëm. Me iniciativën e saj, administrata e spitalit nisi hetimet pasi konstatoi një rritje të pashpjegueshme të numrit të diagnozave të këtij lloji kanceri.

Pas hetimeve ekspertët konkuludan se grave në fjalë u ishte bërë diagnozë e gabuar. Spitali mori përsipër të rishikonte historikun e rasteve të ngjashme dhe hapi rrugën për kompensimin financiar për gratë.