Tedi Blushi tregon çfarë i tha Meta nga burgu: Paralajmërimi për Edi Ramën

Partia e Lirisë vijon të jetë e shqetësuar se kryetarit të saj, Ilir Meta, se mund t’i ndodhë diçka në ambientet e burgut.

Edhe ditën e djeshme, por edhe sot, sekretari i partisë, Tedi Blushi shprehu këtë shqetësim gjatë konferencës për gazetarët, ndonëse nuk shqyrtoi më tej nëse ka informacion mbi pretendimin.

Sot Blushi tha se ka një mesazh për kryeministrin Edi Rama, nëse Metës “do t’i ndodhë ndonjë gjë”.

Ai gjithashtu tha se ka komunikuar me Metën dhe se kreu i PL ndodhet në gjendje të mirë dhe nuk i ka dhënë atij asnjë “porosi ekstra” nga burgu.

“Një paralajmërim e kam për Edi Ramën personalisht. Nëse Ilir Metës do t’i ndodhë një gjë, përgjegjësia do të jetë e tij personale. Jo vrimë miu, por vrimë gjilpëre nuk do të gjejë.

Një ditë drejtësia do të çlirohet nga patronazhistët e Edi Ramës, ne jemi një forcë që respekton institucionet, Meta për këtë ka bërë beteja të mëdha. A do të bëjë Partia e Lirisë protesta? Ne do të bëjmë aksione të vërteta jo shoë.

Ilir Meta është shumë mirë, kam patur kontakte, i përshëndet të gjithë simpatizantët dhe anëtarët e partisë. Nuk ka nevojë që të japë porosi ekstra nga burgu, sepse linja e Partisë së Lirisë është e qartë, përballje dhëmbë për dhëmbë me narko shtetin”, tha Blushi.