Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, teksa ka shpjeguar se procedura e ndjekur nga Policia për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, ka qenë e rregullt, tha se Meta e dinte deri në çfarë faze kishin vajtur hetimet për të.
Sipas Karamuços, kur u mësua që Meta ka udhëtuar drejt Kosovës, ka pasur dyshime se ai po kërkonte strehim atje.
“E ka ditur, ka vajtur në Kosovë, madje është dyshuar se mund të interesohej për një strehim të mundshëm dhe është ndarë ky informacion me disa efektivë të Kosovës dhe ata kanë njoftuar për jo, sepse është për t’u kthyer. E kanë ndjekur që në Morinë, deri në hyrje të Tiranës.
Nuk kanë dashur ta arrestojnë brenda qytetit, sepse do kishte persona te selia e parisë, që mund të përfshiheshin në këtë procedurë. I është afruar një oficer policie, i është prezantuar, ata të gjithë kanë simbolet e Policisë, i ka thënë se ka një vendim gjykata dhe i kanë thënë në jemi Forcat Operacionale dhe duhet t’ju shoqërojmë në drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Aty ka filluar një agresivitet i Metës me sharje, ofendime deri me shkelmime të pjesës së derës dhe të gjunjëve të një prej oficerëve të policisë. Ata janë detyruar të nxjerrin forcërisht nga makina dhe ta fusin në makinën tjetër. Meta refuzonte të dilte dhe shante.
Këto pastaj i ka vazhduar edhe më tej gjatë shoqërimit. Ka pasur dhe probleme emocionale, që janë të kuptueshme.
Procedura ka qenë e rregullt. Ka qenë standarde. Në SHBA të refuzosh dhunshëm policinë, nuk e hapin derën e makinës fare, të nxjerrin nga dritarja.
Meta ka bërë një gabim të madh sot, që mund t’i ngarkohet si vepër penale nesër, për këto akte që ka kryer në kundërshtim të urdhrit të policisë së shtetit.
Nuk është ditur destinacioni fillestar. Mbase policia nuk e dinte, ka dashur që të vijë deri në hyrje të Tiranës. Në fillim kur është parë se të premten në sistemin TIMS, që është larguar, është menduar se është larguar për të mos u kthyer më. Shtatori ka qenë vetëm për t’u shkruar kërkesa për masa. Janë respektuar procedurat. Kanë qenë të detyruar në varësi të kushteve të përgjigjes së urdhrit policor nga z. Meta”, tha ai.