Bleu biletën e përjetshme të klasit të parë, si e humbi privilegjin pas 20 vitesh?

Një qytetar amerikan që bleu një biletë për të fluturuar në klasin e parë gjatë gjithë jetës së tij, e humbi këtë privilegj pas 20 vitesh.

Bëhet fjalë për historinë e Steven Rothstein, një ndërmjetësues financiar, i cili ë vitin 1987 bleu një biletë të veçantë nga American Airlines për 250,000 dollarë, e cila i mundësonte fluturime të pakufizuara në klasin e parë për të gjithë jetën e tij. Më pas, ai shtoi edhe një shoqërues për 150,000 dollarë të tjerë.

Kjo biletë ishte një ndër ofertat më të kërkuara dhe vetëm 66 persona arritën ta blejnë. Rothstein iu përmbajt rregullit të vetëm të vendosur nga kompania: nuk mund t’ja jepte biletën e tij dikujt tjetër. Për vite me radhë, ai shijoi fluturime të shumta, por në vitin 2008, American Airlines vendosi t’i heqë privilegjin e fluturimeve të pakufizuara, duke pretenduar se ai kishte abuzuar me biletën e tij.

Pse American Airlines ia hoqi biletën? Kompania e akuzoi Rothstein për “rezervime spekulative”, duke prenotuar fluturime që nuk kishte qëllim t’i bënte. Po ashtu, ai kishte rezervuar bileta për persona fiktivë, duke përdorur emra si “Bag Rothstein” dhe “Steven Rothstein Jr.”

Pasi iu hoq bileta, Rothstein e paditi kompaninë në vitin 2009, duke kërkuar 7 milionë dollarë dëmshpërblim për prishjen e marrëveshjes, por procesi përfundoi me një marrëveshje jashtë gjykatës.

Rothstein nuk ishte i vetmi që humbi biletën e përjetshme. Jacques E. Vroom Jr., një tjetër mbajtës i AAirpass, humbi gjithashtu privilegjin për shkak të aktiviteteve të supozuara mashtruese.