Nga dubleksi 640 MIJË EURO në ish-Bllok, te ndërhyrjet në klinika private, SPAK “i nxjerr të palarat” Metës dhe Kryemadhit: Paguanin “CASH”

SPAK ka zbardhur sot akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke thënë se janë përfshirë në një sërë veprash penale nga skandali i CEZ-DIA deri te shpenzimet për ndërhyrje estetike dhe shëndetësore në klinika private.

Ndër të tjera, SPAK thotë se përmes nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, çifti ka blerë një dublex (me dy kate) në zonën e ish-Bllokut ku vetëm kati i parë ka kushtuar 310 mijë euro cash dhe 335 mijë euro janë paguar me kredi.

“Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare”, deklaron SPAK.

Një rast tjetër është ai i shërbimeve estetike apo shëndetësore në disa klinika private, shpenzimet e të cilave, në shuma të konsiderueshme parash nuk janë deklaruar ose janë paguar cash.

“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal”, thotë SPAK.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim.