E trishtë/ Nëna me tre fëmijët e mitur flenë poshtë pemës prej disa muajsh në Pogradec

Një qytetar nga Pogradeci ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania një video të trishtë dhe shqetësuese, ku shihet një nënë me tre fëmijët e saj të mitur duke fjetur poshtë një peme, të cilët janë mbuluar me plastmas dhe batanije. Video

Sipas tij, kjo familje ka kaluar gjithë verën në këtë gjendje, ndërsa gjatë ditës ata lypin ose kërkojnë ushqim në koshat e mbeturinave.

Qytetari shpreh shqetësimin e tij pasi dimri po afron dhe këta fëmijë të mitur janë në rrezik të madh për shkak të kushteve të tmerrshme ku jetojnë.

Në denoncimin e tij, qytetari shkruan:

Përshëndetje JOQ! Kjo video është bërë në Pogradec. Është një familje me 4 persona, një nënë me tre fëmijë të mitur. Flenë jashtë në këtë natë të ftohtë në Pogradec, poshtë pemës, të mbuluar me plastmas dhe batanije. Ata nuk kanë shtëpi dhe janë të pastrehë. I shikoj çdo ditë te koshat e mbeturinave duke kërkuar për ushqim. Gjithë verën aty kanë qenë. Dimri po afron dhe këta fëmijë janë në mes të katër rrugëve. Sot u dhashë bukë, ndodhen pranë bashkisë, në një rrugë pranë disa banesave të vjetra. Ju lutem dikush t’i ndihmojë!”
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë sa më parë për të ndihmuar këtë familje të pastrehë, veçanërisht duke marrë masa për të siguruar strehim dhe ushqim për fëmijët e mitur.

Ditët e ftohta po afrojnë dhe çdo vonesë mund të jetë fatale për shëndetin dhe jetën e tyre. Kjo situatë nuk mund të injorohet dhe është detyrim humanitar të ofrohet ndihmë emergjente.