Italia në alarm të kuq nga përmbytjet, një 20-vjeçar viktima e parë

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë rajonin e Emilia-Romagna në Itali, duke shkaktuar reshje të dendura që arritën mbi 80 milimetra shi në vetëm 4 orë.

Qyteti i Bolonjës dhe zona përreth u përmbytën rëndë, ndërsa përmbytjet prekën edhe qytetet Ravenë, Modenë dhe Reggio Emilia.

Në Bolonja është gjetur trupi i pajetë i një 20-vjeçari, i cili ishte përfshirë me makinën e tij nga ujërat e vrullshme. I riu ndodhej me vëllain e tij, i cili arriti të shpëtojë veten, ndërsa kërkimet po në këtë zonë vazhdojnë për gjetjen e një të zhdukuri tjetër.

Rrugët në Apenine u bënë të pakalueshme për shkak të reshjeve të mëdha, duke shkaktuar probleme të rënda në qarkullim dhe evakuime.

Presidentja në detyrë e rajonit, Irene Priolo, kritikoi shërbimet për reagimin e dobët dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin me kujdes udhëzimet e autoriteteve, sidomos për evakuimet nga katet e sipërme të ndërtesave. Kryetari i Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, përmes rrjeteve sociale kërkoi nga banorët të shmangin daljen në rrugë dhe përdorimin e makinave për të garantuar sigurinë e tyre.

Përveç Emilia-Romagna, paralajmërimet për mot të keq përfshijnë edhe rajone të tjera të Italisë. Departamenti i Mbrojtjes Civile ka lëshuar alarme për reshje të forta dhe përmbytje në Campania, Pulia, Basilicata, Kalabri, si dhe në disa pjesë të Veneto, Lombardi dhe Marche.