“Hajde këtu o lepur, spiun”, gjyqtari përndiqej prej disa muajsh nga “një i dehur”

Gjykata e Tiranës ka caktuar 4-muaj burg për Ardit Bajramin, banues në Tiranë, pasi përndoqi dhe ofendoi në mënyrë të përsëritur gjyqtarin Aulon Pashaj.

Gjyqtarja Armela Hasantari fillimisht e dënoi Bajramin me 8 muaj burg, por dënimi u reduktua në 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar. Përndjekja nisi në dhjetor 2020 dhe përfshinte kërcënime dhe ofendime të përsëritura, duke shqetësuar gjyqtarin dhe familjen e tij.

Megjithatë, dënimi me burg u pezullua, dhe Bajrami do të kryejë shërbim prove për 8 muaj, me kusht që të mos kryejë asnjë vepër penale gjatë kësaj periudhe.

Sipas kallëzimit të gjyqtarit Pashaj, një person që ai nuk e njeh, e kërcënon, e shqetëson pa arsye, në mënyrë të përsëritur. Kontakti i parë me këtë person ka qenë ne vitin 2020, në një nga ditët e para te muajit dhjetor ku gjyqtari, sapo kishte dale një mbrëmje nga banesa e tij dhe po ecte ne afërsi të Hotel “D” NË Tiranë.

Në fillim të rrugës pranë furrës se bukës i ka dalë përpara ky person duke kërcënuar me fjale të ndryshme,

si:”…hajde këtu, lepur, spiun, me ty po flas…”.

Gjyqtari deklaron se është habitur me këto fjalë të këtij personi pasi nuk e kishte parë asnjëherë. Pas tre apo katër ditësh ky episode është ripërsëritur sërisht, ku i njëti person i ka ndalur në rrugë duke i thënë: ”…të kam parë në “Bajram Curri”, e ke qënë i veshur mirë…”.

Sërisht në një ditë tjetër Ardit Bajrami ka përndjekur me fjalë gjyqtarin, pas sipas këtij të fundit teksa po kalonte në rrugë, Bajrami i ka thënë: ”…ky është prokuror në “Bajram Curri…”.

Ndërsa episodi i fundit, ka qenë më 20 shtator 2023, rreth mbasdites gjyqtari ka qënë duke ecur në këmbë dhe Bajramaj i është drejtuar me fjalët: “…ruaju …ruaju,… prokuror…”.

Gjyqtari ka shpjeguar se kjo situatë është bërë shqetësuese për të dhe familjen e tij. Ai nuk ja di emrin këtij personi edhe se nuk ka pasur asnjëherë kontakte përsa i përket punës se tij si gjyqtar.

Ndërkohë pas marjes së kallëzimit nga policia është identifikuar dhe pyetur Ardit Bajrami, i cili ka shpjeguar se:

“…jam banues në Tiranë dhe nuk kam asnjë problem me Aulon Pashaj. Në lidhje me datën 20 shtator 2023 kam pasur një rast ditëlindje edhe kam qenë në gjendje të dehur, nuk mbaj mend se çfarë mund ti kem thënë dhe me vjen shume keq për keqkuptimin, i kërkoj falje gjyqtarit Aulon Pashaj…”.